Lidhje

Gjermani: Konservatorët, disfatë elektorale në shtetin më të populluar

  • Zëri Amerikës

Konservatorët e Kancelares Angela Merkel pësuan dje një disfatë elektorale në shtetin më të populluar të Gjermanisë. Votuesit në landin e Rinit Verior-Vestfalisë u dhanë partive të qendrës së majtë të opozitës, një mandat të përbashkët me deri në 51 për qind të vendeve, sipas sondazheve dhe numërimit të pjesshëm të votave.

Rezultati u jep shumicën partive kryesore të opozitës, Socialdemokratëve dhe të Gjelbërve në legjislaturën e këtij landi.

“E diela ishte një ditë e keqe, një ditë disfate të hidhur dhe të dhimbshme”, tha Kancelarja Merkel.

Por ajo tha se humbja e rëndë e partisë së saj në zgjedhjet e Rinit verior nuk do ta dobësojë pozitën dhe politikat e saj, ndërkohë që Kancelarja përballet me thellimin e krizës së borxhit evropian.

Qeveria socialdemokrate e guvernatores Hannelore Kraft i kishte shanset për të fituar, veçanërisht pas gafave të rivalit konservator Norbert Roettgen, ministër federal i mjedisit në qeverinë e zonjës Merkel.

"Vlerësoj me të vërtetë faktin që votuesit na besuan. Natyrisht, fushata jonë funksionoi dhe ne i mbajtëm premtimet", tha zonja Kraft, kandidate e Partisë Social Demokrate.

Mbështetja për Kristian-demokratët e zonjës Merkel në këtë land ra në 26 përqind nga mbi 34 për qind që ishte më parë, rezultati i tyre më i dobët që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Kjo është një humbje e qartë. Nuk ka asnjë mënyrë për ta zbukuruar. Është një humbje e qartë për Bashkimin Kristian Demokrat dhe për mua”, tha ministri Roettgen, duke pranuar disfatën.

Zgjedhjet kombëtare në Gjermani do të zhvillohen nga fundi i vitit tjetër.

Vetë popullariteti i zonjës Merkel mbetet i lartë dhe sondazhet vazhdimisht tregojnë se konservatorët e saj përbëjnë partinë më të madhe në vend.

Megjithatë, për zgjedhjet e ardhëshme ata nuk parashikojnë se do të arrijnë shumicën në parlament, por këtë shans nuk pritet ta kenë as

Social Demokratët dhe të Gjelbërit, të cilët drejtuan Gjermaninë nga viti 1998 deri më 2005.

Kjo lë të kuptohet se zonja Merkel mund të shpresojë të qëndrojë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme edhe pse ndoshta me një partner të ri koalicioni.

XS
SM
MD
LG