Lidhje

Gjermanët festojnë 500 vjetorin e ligjit për birrën


Ligji gjerman për lëndët përbërëse të birrës shënoi së fundmi 500 vjetorin. Ligji për birrën e pastër përcakton se birra mund të përmbajë vetëm ujë, elb dhe lulen e bimës “Humulus lupulus”, për shijen. Vendlindja e ligjit të birrës në Gjermani është qyteti Ingolstadt.

Është e pazakontë që përvjetoret e rregullave qeveritare për ushqimet dhe pijet të shoqërohen me festivale. Por, kur flitet për birrën dhe vendi quhet Gjermani, atëherë kjo mund të ndodhë. Ky është “Festivali i Birrës së Pastër” në Ingolstadt. Pjesmarrësit festuan rregullat më të famshme të vendit, që njihen mirë nga të apasionuarit e birrës në mbarë botën.

Redaktorja e revistës gjermane Hopfenhelden, Nina Anika Klotz, shpjegon origjinën e ligjit për pastërtinë e birrës që u miratua në Ingolstadt në vitin 1516.

“Ligji i vitit 1516 u miratua nga Duka i Bajernit dhe u vendos që birra të bëhet me elb. Ishte thelbësore që buka të bëhej me grurë dhe birra me elb për të shmangur kështu shterrimin e burimeve ushqimore. Më pas, ligji u bë urë mbrojtëse e konsumatorëve dhe u vëndos që birra të përbëhej nga uji, elbi, majaja dhe një bimë tjetër për shijen. Synimi ishte për të ndaluar prodhuesit që të përdorin kërpudha apo bimë të tjera që shpesh çonin në rezultate të padëshirueshme.”

Kështu, u ruajt pastërtia e birrës dhe prodhuesit e bukës mund të kishin grurë të mjaftueshëm. Në vitin 1871, ndërsa shtetet gjermane u bashkuan në një shtet të vetëm, Bajerni këmbënguli që ligji për birrën të zbatohej në tërë vendin. Kjo u realizua vetëm në vitin 1906 për të gjithë Gjermaninë. Kjo do të thotë se nëse birrës i shtoheshin përbërës të tjerë, ajo nuk mund të quhej më birrë. Ligji zbatohet rreptësisht në Bajern, por në shumë shtete të tjera gjermane bëhen përjashtime. Kjo është pjesërisht si rezultat i betejës ligjore 10 vjeçare të Helmut Fritsche, pronar i fabrikës së birrës Klosterbrauerei Neuzelle që ndodhet në perëndim të Berlinit.

“Luftuam për 10 vjet me federatën e prodhuesve të birrës, me qeverinë lokale deri sa Gjyka e Lartë vendosi që birra jonë e zezë, që përmban pak sheqer, mund të quhej birrë.”

Por, në festivalin e birrës së pastër në Ingolstadt, ka pak oreks për birrë me shije tjetër. Ujë, elb, maja dhe bima “Humulus lupulus”. Ligji i birrës së pastërt ende mbretëron këtu dhe banorët shpresojnë që jetë në fuqi edhe për 500 vite të tjera të ardhshme.

XS
SM
MD
LG