Lidhje

Gjermanët “jo më perfektë”


Aeroporti i ri i Berlinit duhet të ishte hapur që para një viti, por mund të mos fillojë të funksionojë deri në vitin 2017. Kostoja është dyfishuar në 4,3 miliardë euro, kryesisht për shkak të shtyrjeve të afateve. Materiali në vazhdim na njeh me problemet e hasura gjatë realizimit të projektit si dhe i hedh një vështrim disa rasteve të tjera projektesh të mëdha të infrastrukturës në Gjermani të cilat po përballen me shtyrje të vazhdueshme.

Një nisje e dështuar është ajo që po kërcënon reputacionin e Gjermanisë si vendi i efikasitetit. Kjo është pamja që aeroporti i Berlinit duhet të kishte. Por aeroporti Willy Brand është disa vite prapa në krahasim me planet dhe buxheti është rritur në mënyrë të vazhdueshme.

Hapja e tij është shtyrë të paktën katër herë që nga viti 2011. Inaugurimi madhështor i planifikuar për këtë muaj u anulua për shkak të zbulimit të qindra gabimeve në projektim dhe në ndërtim, duke përfshirë probleme me sistemin e alarmit të sigurisë ndaj zjarrit. Plani i fundit për hapjen e aeroportit ishte për në tetor të vitit 2013, por edhe kjo datë u shty për më vonë dhe disa thonë se ai mund të mos hapet deri në vitin 2017.

Dieter Faulenbach da Costa është një arkitekt i specializuar për aeroportet. Ai beson se ka patur gabime thelbësore në planifikim.

“Ndoshta duhet të konsiderojmë mundësinë e vënies së një sasie dinamiti nën aeroport dhe të kthehemi tek tavolina e projektimit. Kështu do të ishte më lirë e më mirë. Terminali i pasagjerëve nuk është funksional, çfarë tregon se ndarja e hapësirave është e gabuar. Në zonën e pritjes ka hapësira të tepërta dhe elementë shërbimi për më tepër se 40 milionë pasagjerë. Në anën tjetër, në zonat e pranimit të pasagjerëve dhe të marrjes së valixheve ka hapësirë për një maksimum prej 17 milionë pasagjerësh në vit.”

Aeroporti i ri i Berlinit ishte një katastrofë ndërtimi, tani është një katastrofë financiare. Është ende një vend punimi dhe mediat lokale njoftojnë se kostot e shtyrjeve të afateve po kushtojnë rreth 30 deri në 40 milionë euro çdo muaj. Kostoja totale nuk pritet të bëhet publike deri në vitin 2016.

Kay Herrig është pronar i një dyqani të vogël lulesh dhe iu desh të fitonte ndaj një konkurrence të fortë për të siguruar një vend në aeroportin e ri. Por ai ende nuk po fiton prej investimit dhe nuk ka marrë asnjë kompesim.

“Nga ana financiare, ne përfunduam instalimin e çdo gjëje dhe përballuam kështu kostot përkatëse. Sa i përket punonjësve, na u desh të punësonim pesë vetë dhe t’i linim sërish. Dhe kjo ka sjellë probleme dhe shqetësime.”

Disa njerëz ua vënë fajin politikanëve në bordin mbikëqyrës të aeroportit. Disa të tjerë thonë se shkaku është burokracia dhe bllokimet administrative.

Por ky nuk është i vetmi projekt i madh infrastrukturor në Gjermani që përballet me shtyrje. Punimet në stacionin qendror të trenit në Shtutgart filluan në vitin 2010 dhe mund të mos përfundojnë deri në vitin 2020. Kostot mund të arrijnë në tre ose katër herë më shumë se llogaritja fillestare prej 2,4 miliardë eurosh. Ndërtesa e koncerteve të orkestrës filarmonike të Hamburgut është gjithashtu 3 vjet me vonesë, me kostot në rritje me më shumë se 7 herë.

“Nuk mendoj se po dëmton reputacionin tonë. Do thoja se na bën ne gjermanët më të pëlqyeshëm. Nuk jemi më perfektë.”

Por gjermanë të tjerë shqetësohen se këto probleme po e bëjnë vendin objekt talljesh. Aeroportet e tjera të Berlinit po funskionojnë me kapacitet të plotë, pa qenë në gjendje të shtojnë fluturime të reja drejt vendeve në zhvillim.
XS
SM
MD
LG