Lidhje

Shpëtimi i euros dhe kultura gjermane e të kursyerit


'Shtëpiaket' e Shvabias të famshme në Gjermani për aftësinë për të kursyer dhe kujdesur për familjen

Udhëheqësit evropianë po kthehen nga pushimet verore, duke u përballur me një krizë të euros që kërcënon të përkeqësohet. Ndërsa Greqia përpiqet të negociojë për një zbutje të kushteve të paketave financiare të shpëtimit, vëmendja është përqëndruar përsëri tek Gjermania, e cila konsiderohet gjerësisht si vendi i vetëm që mund të shpëtojë bashkimin monetar. Kundërshtimet e Gjermisë ndaj borxhit publik kanë rrënjë të thella dhe nuk ka gjasa që kancelarja Angela Merkel të veprojë kundër dëshirave të bashkështetasve të saj.

Në Shtutgart, kryeqyteti rajonal i Shvabias, nuk shihen shenja krize. Në një fjalim të mbajtur atje, në fillim të krizës financiare globale, kancelarja gjermane Angela Merkel vlerësoi cilësitë e 'shtëpiakeve' të Shvabia, të famshme në Gjermani për aftësitë e tyre për të kursyer dhe për t’u kujdesur për familjen.

Claudia Bauder dhe Gaby Weber kanë mjaft këshilla mbi këto aftësi. Ato janë anëtare të Klubit të Grave Gjermano-Amerikane në Shtutgart.

"Ka një ndershmëri të rrënjosur thellë tek shvabianët dhe gjermanët, që nuk kërkojnë të përfitojnë shumë nga njerëzit e tjerë apo vetë shteti. Ka shumë gjëra që po ndodhin në vende të tjera të cilat nuk janë pozitive në këtë aspekt dhe mendoj se vetë njerëzit do të duhej t’i përmbaheshin rregullave pak më shumë, siç bëjnë, pa dyshim, gjermanët."

Sondazhet tregojnë se shumica e taksapaguesve gjermanë e mbështesin qëndrimin pro masave shtrënguese të kancelares Merkel, që detyron ekonomitë me probleme të ulin shpenzimet në këmbim të ndihmave. Zonjat Bauder dhe Weber thonë se ky është një rregull themelor i ekonomisë shtëpiake.

"Nuk mund të blihen objekte ose të investohet në gjëra për të cilat dihet qysh në fillim që nuk mund të përballohen".

"Kur ble një mall, shumicën e vleftës e paguan prej kursimeve dhe nëse merret ndonjë kredi duhet të jeshs i sigurtë që mund ta shlyesh."


Ministri i Financave i Gjermanisë ka theksuar se për shpëtimin e euros nuk duhet shpenzuar pa kriter. Ky është një këndvështrim që zonjat Bauder dhe Weber e mbështesin.

"Ti ke dëshirë të ndihmosh, sigurisht, por edhe pyet: ‘Cili është plani i tyre për të përmirësuar gjendjen?’ Mendoj se është e justifikueshme të pyetet: ‘Kush është plani për të rregulluar situatën?’"

Nëse Gjermania paguan faturat, ajo duhet të ketë një rol në mënyrën se si "shtëpia" e Bashkimit Evropian drejtohet, thotë analisti Ferdinand Fichtner i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike.

"Kemi institucione në bashkimin monetar, si Banka Qendrore Evropiane, por edhe fondet e shpëtimit, të cilat në fakt mund ta shmangin shkatërrimin e euros duke investuar sasi të mëdha parash. Por nuk mendoj se kjo është domosdoshmërisht një gjë e mirë. Unë mendoj se duhet diskutuar nëse vendet duhet të largohen nga bashkimi monetar, kjo në të vërtetë është diçka shëruese."

Gjermania thotë se nuk do që monedha euro të falimentojë. Por udhëheqësit evropianë nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje.

"Nëse do të ishte aq e lehtë saqë ne mund ta zgjidhnim këtë, do ta kishim bërë."

"Por, ne jemi vetëm amvisa."


Por kancelarja Merkel beson se ekonomia e thjeshtë shtëpiake e rajonit të begatë të Shvabias mund të përmbajë mësime të vlefshme për të gjithë Evropën.
XS
SM
MD
LG