Lidhje

Gjermania: Jo azil për shqiptarët

  • Armand Mero

Që nga fillimi i vitit 50 mijë kërkesa nga shqiptarë. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière në Tiranë: Kemi shkurtuiar procedurat, riatdhesim brenda tre javëve

Në Tiranë ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière deklaroi sot se për shqiptarët nuk ka asnjë mundësi që të përfitojnë azil në vendin e tij dhe se kushdo që do e tentojë do të kthehet pas brenda tre javësh. Këto deklarata ai i bëri në përfundim të takimit me homologun e tij shqiptar Saimir Tahiri, ku ai theksoi se numri i azilkërkuesve nga Shqipëria përbën një shqetësim të madh

Që nga fillimi i këtij viti janë të paktën 50 mijë shqiptarë të cilët kanë bërë kërkesë për azil në GJermani. Fluksi ka ardhur ne ulje, ndërsa në tetor zbriti në 4 mijë kërkesa, megjithatë situate u konsiderua shqetësuese për ministrin e Brendshëm gjerman Thomas de Maizière: “Nuk ka asnjë arsye që nga Shqipëria njerëzit të vijnë të pretendojnë se janë të përndjekur politikisht. Kjo është një situatë e papranueshme. Shqipëria është një vend i origjinës së sigurt, është një sistem demokratik dhe nuk ka asnjë arsye pse të pretendohet që këtu ekziston përndjekja politike”

Ministri gjerman shpjegoi se është e qartë se arsyet që shtyjnë shqiptarët janë ekonomike, porse kjo nuk i jep të drejtën për të përfituar azil. Pas përfshirjes së fundi të Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta, procedurat për azilkërkuesit janë shkurtuar ndjeshëm, dhe zoti De Maizière saktësoi se ato përmbyllen brenda tre javësh dhe më pas bëhet riatdhesimi i menjëhershëm.

Në të njejtën linjë me homologun e tij gjerman, ministri Tahiri theksoi se “dy vendet po bashkëpunojnë mbi bazën bilaterale për të zhvilluar programe konkrete bashkëpunimi për punësimin e ligjshëm të qytetarëve shqiptarë. Këto programe tashmë kanë filluar dhe janë zëvendësimi më i mirë i përpjekjes pa rezultat për të shkuar dhe për t’u nisur përfitimin kërkimin e azilit ekonomik që është praktikisht e pamundur. Ndaj për qytetarët shqiptarë mesazhi është shumë i qartë të nisesh nga Shqipëria për në Gjermani me kërkesën për të fituar azil kjo nuk ndodh”.

Ministri Tahiri përsëriti se nga azilkërkuesit pjesa më e madhe janë shqiptarë emigrantë në Greqi: “Sipas te dhënave tona daljet nga kufiri Shqiptar nga pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë janë vetëm 0.6% më shumë krahasuar me ato të një viti më parë, gjë që do të thotë sipas të gjitha të dhënave që kemi pjesa me e madhe e azil kërkuesve shqiptar në Gjermani janë shqiptarë prej kohësh rezident në Greqi”

Por kjo deklaratë e tij nuk gjeti konfirmim nga ana e ministrit gjerman i cili shpjegoi se nuk kishte të tilla të dhëna, pasi të gjithë paraqiten me pasaportën shqiptare, ndërkohë që nuk përjashtohen dhe deklarata e rreme e se autoritetet gjermane, saktesoi ai, nuk ndërmarrin hetime për vendin e nisjes së emigrantëve.

Përvec cështjes së azilkërkuesve. Të dy ministrat njoftuan se kanë rënë dakort të forcojnë bashkëpunimn ne luftën kundër krimit të organizuar. Që nga 1 janari i ardhshëm Gjermania do të dërgojë në Tiranë një oficer kontakti, ndërsa në javët e ardhshme një ekspert i zyrës federale të krimit të organizuar do të jetë në Shqipëri për të këshilluar kolegët e tij shqiptar në përpjekjet e tyre kundër grupeve kriminale.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG