Lidhje

Gjermani, rroga minimale në qendër të fushatës


Ndërsa ekonomia ka rishfaqur shenja përmirësimi, disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Poloninë dhe Rumaninë kanë rifilluar diskutimin e çështjes së pagës minimale. Por debati është intensifikuar në Gjermani, vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që nuk ka një ligj për rrogën minimale. Kjo çështje është vënë në qendër të debateve mes Kancelares Angela Merkel dhe Peer Steinbruckut të Partisë Social Demokrate, kundërshtari i saj në zgjedhjet federale të caktuara për t’u mbajtur këtë muaj.

33 vjecarja Sabine Theodono punon si parrukiere në një sallon të vogël në rrethinat e Frankfurtit.

Parrukieret paguhen 5 Euro në orë, mes punonjësve më pak të paguar në Gjermani, kur sipas zyrës Federale të Statistikave, numri i njerëzve që jëtojnë në varfëri është 12 milion, një rritje prej 400 mijë vetësh gjatë dekadës së fundit.

“Unë punoj 40 orë në javë, thotë ajo, por po të mos isha e martuar dhe të më duhej të mbështesja veten financiarisht, do ta kisha të pamundur të paguaja faturat. Me çmimet që kemi tani në Gjermani, do të ishte e pamundur”.

Partia Social Demokrate e Gjermanisë e ka bërë rrogën minimale, çështjen mbizotëruese në fushatën aktuale politike. Kandidati i kësaj partie për postin e kancelarit Peer Steinbrück, ka rekomanduar një pagë minimale prej 8.50 euro për të gjithë punonjësit gjermanë dhe ka premtuar të miratojë një ligj për të brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij, nëse fiton.

Carsten Brzeski është ekonomiste e Bankës ING.

"Ne flasim si të shpëtojmë euron, apo t’u japim hua vendeve të tjera. Sigurisht që është e vështirë të bindësh publikun gjerman se njerëzit në vendin e tyre po vuajnë. Prandaj partitë e opozitës janë përpjekur ta bëjnë këtë një çështje në zgjedhje”.

Në fillim, Kancelarja Angela Merkel ishte kundër ligjit për një rrogë minimale, por tani po bën fushatë me idenë se industritë e ndryshme dhe sindikatat duhet ta përcaktojnë rrogën minimale me negociata. Partia e saj Kristian-Demokrate druhet se një pagë minimale e përcaktuar do t’i bëjë prodhimet gjermane jo konkurruese dhe do të eliminonte miliona vende pune. Kristian-demokratët sjellin si shembull Francën ku një rrogë minimale prej 9.43 eurosh në orë, i ka bërë punëdhënësit të hezitojnë të punësojnë dhe konsiderohet një arsye kryesore për papunësinë mes të rinjve. Ja ç’thotë Carsten Brzeski:

"Është e qartë se ky faktor ka dëmtuar konkurrencën në shumë vende evropiane. Në Francë dhe Belgjikë për shembull, ku nga kostot e larta, aksionet e kompanive u zhvlerësuan. Gjithmonë është vështirë të gjendet një ekuilibër mes eksporteve të nevojshme për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe drejtësisë sociale brenda vendit”.

Çështja kryesore e debatit në Gjermani është se kush do të përballojë barrën financiare të rritjes së rrogave: punëdhënësit apo qeveria?

Kida Imran është pronare e një salloni të vogël në qytetin e vogël jugperëndimor të Mainzit.

“Ne mund ta përballojmë një rrogë më të lartë minimale, por do të na duhet ndihmë nga qeveria. Në Gjermani ka shumë taksa. Po të ishin më të ulëta, bizneset do të ndjeheshin më të lehtësuara dhe mund t’i paguanin më shumë punonjësit”.

Debati në Gjermani vjen në klimën e lajmeve optimiste për një rritje ekonomike më të lartë nga ç’parashikohej, rritjes së eksporteve dhe një papunësie të ulët krahasuar me atë të vendeve të tjera të BE-së.

Sipas zonjës Brzeski të Bankës ING, kushdo që të fitojë zgjedhjet për duhet ta përdorë këtë fitore për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje debatit për pagën minimale.

"Një standard për rrogën minimalë do të vendoset, sepse është shumë e vështirë t’u shpjegosh njerëzve se ekonomia po ecëm mirë, por se jo gjithkush po përfiton nga kjo”.

Sipas një studimi të Bashkimit Evropian në korrik, vendi me rrogën më të lartë minimale në BE është Luksemburgu, ndërsa rroga më e ulët minimale është në Bullgari. Zgjedhjet në Gjermani mbahen më 22 shtator.
XS
SM
MD
LG