Lidhje

Gjermania dhe SHBA, miq të vjetër me shqetësime të reja


70 vjetori i Fundit të Luftës së Dytë Botërore ka një kuptim të veçantë, ndërsa Rusia bëhet më agresive lidhur me Ukrainën dhe po dërgon avionët e saj ushtarakë pranë hapësirës ajrore të vendeve perëndimore. Ndryshimet në balancën gjeostrategjike dhe marrëdhëniet transatlantike po ndjehen në gjithë kontinentin, përfshirë qytetet gjermane ku janë vendosur baza amerikane që nga mposhtja e Gjermanisë naziste. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pessin vizitoi qytetin Schweinfurt të Gjermanisë, ku një bazë e madhe u mbyll vitin që kaloi pas afro 70 vjetësh.

Baza e braktisur amerikane shtrihet në një hapësirë të madhe në Schweinfurt. Gjatë Luftës së Ftohtë, ishte një periudhë ku aty jetonin 12 mijë amerikanë, trupa dhe familje të tyret, një shifër e barazvlefshme me 20 për qind të popullsisë së qytetit.

"Ishim vetëm 40 kilometra larg kufirit lindor. Pra ishin divizioni i vijës së parë të frontit, nëse vinin rusët”.

Oficeri në pension i ushtrisë amerikane, George Ohl ka punuar në bazë për 36 vjet dhe qëndroi aty pasi u mbyll.

Tani, në një pjesë të saj do të qëndrojnë studentë të huaj që shkojnë në një universitet aty pranë dhe barrakat e tjera po përdoren për refughatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

“Në botën e sotme moderne, ne mund të bëjmë gjëra të ndryshme pa pasur nevojë të dislokojmë një bazë si Schweinfurt”.

Kryebashkiaku Humbertus Remele, ka qenë dëshmitar i ndryshimeve në qytet.

“Sigurisht që detyra e parë për amerikanët, ishte mbrojtja e Gjermanisë. Por kjo nuk ishte vetëm një marrëdhënie politike. Ishte një marrëdhënie shumë e vërtetë njerëzore”.

Jo shumë kohë më parë, mes blerësve në ditëne tregut, do të kishte amerikanë. Gazetari Sven Schroter thotë se trupat amerikane u mirëpritën pothuajse që nga fillimi.

“Ushtarët amerikanë pas luftës nuk shiheshin si pushtues, ndoshta vetëm nga disa të moshuar pas luftës, për një kohë fare të shkurtër. Por për brezin e ri, edhe pas luftës ata ishin aleatë, madje edhe miq”.

Këto ndjenja reflektohen nga një memorial për të rënët e të dyja palëve, ndërtuar nga veteranë amerikanë dhe gjermanë.

“Na mungojnë, na mungojnë në nivelin ekonomik por edhe njerëzor,” thotë​ Heraldi, pensionist.

“Po të varej nga unë, do të kisha dashur të qëndronin. Shumë njerëz në Schweinfurt mendojnë kështu. Është për të ardhur keq,” shprehet nje pensioniste.

Por ndërsa prania amerikane ishte diçka personale për banorët, në gazetën Der Tagespiegel në Berlin, ish-botuesi Gerd Appenzeller thotë se ajo është vetëm një nga elementët.

“Mendoj se të gjithë gjermanët e kanë të qartë që ishin Shtetet e Bashkuara që garantuan lirinë e Evropës perëndimore deri kur u rrëzua muri në vitin 1989. Duhet të sigurohemi që marrëdhënia transatlantike të mos reduktohet vetëm në një marrëdhënie ushtarake. Duhet të përpiqemi që lidhjet tregëtare dhe kulturore mes Amerikës dhe Evropës të mbeten po aq të ngushta sa janë sot”.

Kjo nuk do të jetë aq e lehtë tani që vëmendja strategjike amerikane po spostohet tek Azia. Por zyrtarë amerikanë dhe gjermanë thonë se marrëdhënia transatlantike vazhdon të jetë e rëndësishme, veçanërisht ndërsa ushtria ruse po ndërmerr hapa që shkaktojnë sfida të reja sigurie në Perëndim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG