Lidhje

Gjermania dhe Franca së bashku kundër krizës evropiane

  • Zëri Amerikës

Gjermania dhe Franca së bashku kundër krizës evropiane

Gjermania dhe Franca së bashku kundër krizës evropiane

Pak ditë para një takimi të parashikuar për javën e ardhshme, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Nikola Sarkozi kanë paraqitur plane për të ndihmuar kapërcimin e krizës financiare evropiane.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një fjalim të mbajtur para parlamentit se vendet evropiane po shkojnë drejt një “bashkimi fiskal” me kontrolle buxhetore më të rrepta, për t’u përballur me krizën e borxheve të eurozonës.

Por ajo shtoi se nuk do të ketë zgjidhje të shpejta.

“Qeveria e ka bërë gjithmonë të qartë se kriza e evropiane nuk mund të zgjidhet brenda një nate. Nuk ekziston ndonjë zgjidhje e realizueshme me një veprim të vetëm. Nuk ka rrugëdalje të thjeshta dhe të shpejta, dhe aq më pak - ashtu siç disa njerëz insistojnë duke thënë para çdo takimi - ndonjë goditje përfundimtare. Ajo nuk është as mënyra ime e të shprehurit dhe as mënyra ime e të menduarit. Zgjidhja e krizës së euros është një proces. Dhe për këtë proces do të duhen vite.”

Këto deklarata të kancelares Merkel erdhën disa orë pasi Presidenti francez Nikola Sarkozi kishte njoftuar mbrëmë se ai dhe zonja Merkel - si udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të Evropës - do të paraqesin një plan të ri javën e ardhshme, për nxjerrjen e Evropës nga kriza e saj e borxheve dhe për shpëtimin e monedhës së përbashkët, euro.

“Franca dhe Gjermania, pas shumë tragjedive, vendosën të bashkojnë fatet e tyre, për të parë drejt së ardhmes së bashku. Të dashur bashkëqytetarë, braktisja e kësaj strategjie do të ishte krejtësisht e pafalshme. Nëse Franca dhe Gjermania do të ishin të ndara, atëherë e gjithë Evropa do të ishte e ndarë dhe e dobët. Unë do të pres në Paris kancelaren Merkel të hënën dhe së bashku ne do të paraqesim propozimet franko-gjermane për të garantuar të ardhmen e Evropës.”

Zoti Sarkozi dha vetëm pak detaje mbi mënyrat e funksionimit të një Evrope të re, por ai tha se dy vendet do të insistojnë për arritjen e një marrëveshjeje për të zëvendësuar Traktatin e Mastriktit, i cili themeloi Bashkimin Evropian dhe çoi në krijimin e euros në vitin 1999. Monedha e përbashkët tashmë përdoret nga 17 vende anëtare.

XS
SM
MD
LG