Gjermania dhe Holanda janë zotuar se do të shtojnë mbështetjen për përpjekjet e luftës në Afganistan.
Parlamenti gjerman votoi sot pro mbajtjes së ushtarëve në Afganistan edhe për një vit, megjithë kundërshtimin në rritje të gjermanëve ndaj luftës.
Mandati autorizon dislokimin e vazhdueshëm të 5 mijë e 350 trupave deri në janar 2012, por përmban një dispozitë për fillimin e tërheqjes së trupave nga fundi i këtij viti, nëse “lejon situata e sigurisë”.
Gjermania ka tani më shumë se 4 mijë e 800 trupa në Afganistanin verior. Ajo është vendi i tretë për nga numri i trupave në Afganistan, pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
Në Holandë, parlamenti miratoi dërgimin e një force prej 545 anëtarësh për trajnimin e policisë në Afganistan, gati gjashtë muaj pas tërheqjes së trupave holandeze nga lufta.