Lidhje

Gjermania, Franca kërkojnë më shumë përpjekje për krizën e borxhit

  • Zëri Amerikës

Gjermania, Franca kërkojnë më shumë përpjekje për krizën e borxhit

Gjermania, Franca kërkojnë më shumë përpjekje për krizën e borxhit

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy kërkuan më tepër përpjekje për kontrollin e krizës evropiane të borxhit e cila po zgjat që prej dy vjetësh. Ata thanë gjithashtu se vendet e eurozonës duhet të përshpejtojnë pagesat për të mbështetur fondin e shpëtimit financiar.

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës u takuan në Berlin dhe bënë thirrje t’u jepet fund sa më shpejt negociatave për traktatin e Bashkimit Evropian për të forcuar kontrollin mbi shpenzimet e qeverive. Zoti Sarkozi tha se kufijtë e rinj buxhetorë duhet të nënshkruhen deri më 1 mars, një muaj më herët se sa ishte planifikuar.

Zonja Merkel dhe zoti Sarkozi thanë gjithashtu se blloku prej 17 vendesh që përdor euron, duhet të përshpejtojë pagesat për të mbështetur fondin e shpëtimit financiar të eurozonës në mënyrë që të përballohen emergjencat e mundshme në të ardhmen. Ata i kërkuan Greqisë dhe kreditorëve privatë të përfundojnë bisedimet mbi ristrukturimin e borxheve të vendit në mënyrë që Athina të mund të sigurojë një kredi të re shpëtimi financiar prej 169 miliard dollarësh, e dyta brenda dy viteve të fundit dhe të shmangë falimentimin.

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës thanë gjithashtu se dëshirojnë vendosjen e një takse mbi transaksionet financiare për të gjithë Bashkimin Evropian ose vetëm për eurozonën.

Udhëheqësit evropianë, me përjashtim të Britanisë, ranë dakord në fillim të dhjetorit të imponojnë masa të reja për mbikqyrjen e shpenzimeve të secilës qeveri. Por hollësitë ende nuk janë përpunuar.

XS
SM
MD
LG