Lidhje

Gjermania i kërkon Rusisë ndihmë për lirimin e vëzhguesve


Kancelarja gjermane Angela Merkel e telefonoi përsëri sot në mëngjes Presidentin rus, Vladimir Putin duke i kërkuar ndihmë për lirimin e shtatë vëzhguesve të OSBE-së që po mbahen nga separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore. Kancelarja Merkel i kujtoi zotit Putin përgjegjësitë e Rusisë, si vend anëtar i OSBE-së. Kremlini tha se Presidenti Putin theksoi gjatë telefonatës se kryesorja ishte që Ukraina të tërhiqte trupat nga Ukraina Lindore, të ndalë dhunën dhe të fillojë një dialog kombëtar për reformën kushtuetuese. Ukraina po akuzon separatistët në Lindje se po përdorin pengjet si mburoja njerëzore. Por disa vëzhgues në Kiev thonë se pengjet, përfshirë vëzhguesit e OSBE-së, po mbahen për t’u shkëmbyer me aktivistët e ndaluar pro-rusë.

Në qytetin juglindor ukrainas Slovyansk, militantët pro-rusë kanë ndaluar disa vëzhgues të OSBE-së, gazetarë dhe zyrtarë lokalë. Autoritetet ukrainase thonë se ata rebelët kanë marrë pengje për të parandaluar veprimet e ushtrisë. Por analisti ukrainas Sergey Slobodchuk nuk pajtohet.

“Nuk kishin një plan të mirfilltë që ti përdorin ata si mburoja njerëzore. Nuk kanë marrë pengje të mjaftueshme për ti mbrojtur ata nga veprimet ushtarake.”

Ai thotë se seperatistët nuk i frikësohen hakmarrjes nga ushtria apo policia në rajon, sepse ata kanë fuqinë e duhur po ashtu edhe forcat e sigurisë nuk duan të përfshihen në atë që e shohin si betejë politike për pushtet.
Igor Dyomin, zëdhës i policisë në qytetit Donetsk, thotë se autoritetet po përdorin dialogun në vend të forcës me protestuesit që kanë marrë ndërtesat qeveritare.

“Po negociojmë me ta me synimin për të parandaluar gjakderdhjen. Të gjithë duhet të kuptojnë se cilado palë të përdorë armët, kjo do të kthehej në një luftë vëllavrasëse.”

Seperatistët në Slovyansk thonë se duan të shkëmbejnë të burgosurit e tyre me aktivistët pro-rusë të arrestuar në Kiev. Bogdan Ovcharuk, me Amnesty International thotë se organizata e tij po bën thirrje për hetime të plota lidhur me qendrat e ndalimit.

“Në bazë të raporteve që kemi, seperatistët po përdorin njerëzit si mjet negocimi. Është e tmerrshme, e paligjshme dhe duhet trajtuar urgjentisht.”

Amnesty International thotë se si grupet pro-Kievit dhe ato pro-ruse janë përfshirë në ndalimin e paligjshëm të njerëzve dhe duket se nuk ka një autoritet shtetëror që të jetë në gjendje të ndalë asnjërin grup.
XS
SM
MD
LG