Lidhje

Gjermania njofton masa të reja anti-terroriste


Gjermania vazhdon të ndeshet me rrezik të konsiderueshëm nga sulme terroriste, tha Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere pas një serie bastisjesh dje ndaj banesave që dyshoheshin si celula për rekrutime të terroristëve në qytete të ndryshme gjermane. Ministri de Maziere njoftoi sot një numër masash kundër radikalizimit, por edhe për të forcuar ndëshkimet për shtetas të huaj të kapur në aktivitete që cënojnë sigurinë publike.

Masat, tha zoti de Maziere, pasojnë një analizë të hollësishme të nevojave të strukturave shtetërore për sigurinë:

"Duke pasur parasysh situatën aktuale, po analizojmë nëse nevojitet personel shtesë për policinë federale, Zyrën e Hetimeve Penale dhe Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Gjithashtu po analizojmë se çfarë nevojitet për autoritetet që operojnë teknologjinë që ka lidhje me sigurinë. Jemi në kontakte me ministrinë e financave për këto skenare, me synimin për të shtuar personelin me mbi 1 mijë forca të tjera në vitet në vazhdim”.

Masat parashikojnë zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese shtetërore si dhe krijimin e strukturave të reja për të parandaluar dhe diktuar rreziqet:

"Po ashtu po analizojmë organizimin e forcave të sigurisë. Kam vendosur se nevojitet krijimi i një drejtorie të re policore për forcat speciale, në mënyrë që në raste tepër serioze, ndoshta skenare terroriste, të gjitha forcat të koordinohen në një vend dhe të jenë në dispozicion të landeve gjermane”.

Masa speciale do të merren edhe për betejën virtuale. Zoti de Maziere tha se Gjermania ka në plan të angazhojë hetues të “internetit të errët”, siç e quajti ai, informaticienë të specializuar për të diktuar tregti armësh apo komunikime mes terroristëve.

Do të shtohen edhe qendrat e konsultimit për t’u dhënë mundësi refugjatëve të raportojnë aktivitete të dyshimta në gjuhën e tyre, në mënyrë që të diktohen në kohë problemet e radikalizimit tek individët. Por Gjermania po shtrëngon edhe masat ndëshkimore për të huajt në emër të sigurisë kombëtare:

"Dua të forcoj rregullat e lejes së qëndrimit për të huajt që kryejnë krime të një natyre që rrezikon sigurinë publike në Gjermani. Do të zgjerojmë listën e akteve që lejojnë mbajtjen nën arrest të një personi, në emër të sigurisë publike, për të garantuar që ky person më pas do të dëbohet nga vendi. Në të ardhmen duam të shohim më shumë raste kur shtetas të huaj mbahen nën arrest në pritje të deportimit pasi përbëjnë kërcënim për sigurinë publike.

Njoftimi i ministrit të brendshëm gjerman bëhet një ditë pas bastisjeve në disa qytete lidhur me tre individë që dyshoheshin se kishin mbështetur Shtetin Islamik. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Federal tha se bastisjet nuk rezultuan në arreste.

XS
SM
MD
LG