Lidhje

Gjermania zbut qëndrimin ndaj fondit të shpëtimit


Gjermania po zbrapset nga kundërshtimi për të rritur madhësinë e fondit të eurozonës për të shpëtuar vendet e përfshira nga borxhet.

Blloku me 17 vende ka krijuar një fond të ri shpëtimi prej 666 miliardë dollarësh, që do të hyjë në fuqi në korrik. Por disa analistë financiarë kanë thënë se ky fond nuk është i madh sa duhet për të mbuluar borxhet e vendeve më të mëdha evropiane, si Italia dhe Spanja, në se ato do të kenë nevojë për ndihmë në të ardhmen.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, u rezistoi thirrjeve për zgjerimin e paketës. Por sot, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se paketa e tanishme emergjente e shpëtimit të eurozonës, që u ka dhënë borxh Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë mund të funksionojë bashkë me llogarinë e re, duke shtuar 267 miliardë dollarë për paketën e përgjithshme emergjente me një totale prej 933 miliardë dollarësh.

Disa analistë thonë se edhe paketa më e madhe mund të mos jetë e mjaftueshme për të shpëtuar borxhet e Italisë dhe Spanjës, ekonomia e tretë dhe e katërt më e madhe e eurozonës. Komisioni Evropian ka bërë thirrje për krijimin e një pakete emergjente prej mbi 1.2 trilion dollarësh.

XS
SM
MD
LG