Lidhje

Gjethja artificiale transformon dritën e diellit në energji elektrike

  • Rozanë Skërbëll

Gjethja artificiale transformon dritën e diellit në energji elektrike

Gjethja artificiale transformon dritën e diellit në energji elektrike

Shkencëtarët në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit janë frymëzuar nga natyra. Kohët e fundit në një takim të shoqatës së kimistëve amerikanë në Kaliforni, studiuesit njoftuan se ata kanë krijuar një pajisje e cila imiton fotosintezën, proces i cili përdoret nga bimët për të kthyer dritën dhe ujin në energji. Gjethet artificiale janë premtuese si një burim i ri me kosto të ulët dhe të efektshme për energjinë elektrike.

Profesor Daniel Nocera i Institutit Tekonologjik të Masaçusetsit që drejton kërkimet për projektin e gjethes artificiale, thotë se ai dhe kolegët e tij e morën idenë nga bimët të cilat, sipas tij, prodhojnë elektricitet.

“Gjatë këtij procesi drita e diellit bie mbi gjethen e cila e shëndërron dritën në valë energjie.”

Gjatë fotosintezës, energjia e diellit i ndan molekulat e ujit në hidrogjen dhe oksigjen. Hidrogjeni bashkohet me dioksidin e karbonit dhe krijon sheqerin, që është ushqimi thelbësor për rritjen e bimës. Në laboratorin e profesorit Nocera, shkencëtarët e përsërisin këtë proces kimik duke përdorur një pajisje silikoni që ka madhësinë e një letre bixhozi, por shumë më e hollë. Ajo pastaj vishet me katalizatorë prej nikeli dhe kobalti që kur bien në kontakt me ujin dhe dritën ultraviolet, nxit një reaksion kimik.

“Në qoftëse në një shishe me ujë fut brenda këtë mirkroporcesor, dhe pastaj e vendos shishen në dritën e diellit, në ujë fillojnë ngjiten fluska hidrogjeni dhe oksigjeni.”

Hidrogjeni pastaj ribashkohet me oksigjenin për prodhimin e elektricitetit. Puna e profesor Noceras bazohet në studimet e mëparshme.

John Turner nga Laboratori Kombëtar i Energjisë së Ripërtëritshme ishte i pari që punoi me këtë koncept në vitin 1998 duke përdorur materiale tepër të kushtueshme dhe të papërshtatshme për t’u përdorur gjeresisht në treg.

Zoti Nocera thotë se e ashtuquajtura “gjethe artificiale” shfrytëzon materiale më kosto më të ulët, është më e qëndrueshme dhe më e efektshme se sa projektet e mëparshme. Ai thotë se sfida është në mbledhjen e gazeve që dalin nga silikoni dhe magazinimi e tyre deri në kohën kur nevojitet energjia.

“Projekti ka ende nevoja inxhinierike. Ende nuk e dimë si ta bëjmë këtë. Me anën inxhinierike do të merremi së shpejti. Do të duhet të magazinojmë një sasi të madhe energjie, sepse ky sistem punon me një efektshmëri pak a shumë të njejtë me qelizat e energjisë diellore.”

Në eksperimentet laboratorike, prototipi i qelizave diellore të profesor Noceras funksionoi vazhdimisht për 45 orë pa ndërprerje të prodhimit të elektricitetit. Profesor Nocera vë në dukje se ky sistem punon me çdo lloj uji.

“Mund të përdoret uji nga burimet natyrore, që është gjë e madhe për ne sepse në pjesët rurale të botës, veçanërisht në vendet e varfëra, transportimi i ujit të pastër është i kushtueshëm. Në këtë mënyrë fakti që ne mund të marrim ujë kudo që mundemi dhe mund ta përdorim në këtë proces, është shumë i rëndësishëm.”

Profesor Nocera beson se gjethja artificiale mund të jetë veçanërisht e dobishme si një burim me kosto të ulët i prodhimit të elektricitetit për popullsinë me të ardhura të ulëta në vendet në zhvillim. Profesor Nocera thotë se qëllimi i këtij projekti është pajisja e çdo shtëpie me një stacion të prodhimit të energjisë. Ai parashikon që kjo teknologji të dalë në treg për përdorim brenda tre vitesh.

XS
SM
MD
LG