Lidhje

Gjimnazet e Durrësit shesin piktura për të ndihmuar jetimët


Nxënës të talentuar të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Durrësit çelën një ekspozitë me piktura dhe punime artistike, me shitjen e të cilave do të ndihmojnë fëmijëve jetimë. Ekspozita e Qendrës “Albania” në bashkëpunim me drejtorinë e arsimit bashkoi mbrëmjen e kaluar dhjetëra nxënës, mësues dhe prindër. Ekspozita titullohej “Arti i të qenit njeri”. Tablotë, fotografitë artistike dhe bocetet e artistëve të rinj tërhoqën vëmendjen e prindërve dhe shumë prej tyre blenë piktura qysh në ditën e parë duke ditur qëllimin humanitar të kësaj veprimtarie. Tema kryesore e pikturave është 100 vjetori i pavarësisë.

Nxënësja Irena Mara solli një foto artistike nga lagjet antike të qytetit, një portë të vjetër shtëpie, dhe thotë se e fotografoi atë me frikën se “pas pak kohësh porta nuk do të jetë më, por do të shembet nga pallatet shumëkatëshe. Si shumë antika të tjera në Durrës, edhe porta mund të prishet, megjithatë fotoja e saj do të shërbejë të paktën për një qëllim human”.

Enida Mursaku është studente e skulpturës në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”. Ajo thotë se është “e lumtur që iu dha mundësia të dhurojë një vepër të saj për të ndihmuar fëmijët e varfër dhe pa prindër. Dhurimi i të hollave për jetimët është një gjest që i bashkoi gjithë shkollarët dhe prindërit e Durrësit” - tha ajo.

Në ekspozitë morën pjesë nxënës nga tre shkolla 9-vjeçare dhe 5 të mesme, mes të cilëve edhe nxënësit e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Drejtore e shtëpisë së fëmijës në Shkozet, Heroina Duka, thotë se “kjo është hera e parë që fëmijët zhvillojnë një veprimtari të tillë humanitare. Jam e prekur nga gadishmëria e tyre dhe e prindërve që po blejnë piktura. Me këto para do të rregullojmë ndërtesën e jetimores dhe do të mbulojmë shpenzime të tjera për një jetesë sa më normale të këtyre fëmijëve”.

Kryetar i shoqatës “Albania”, Ilir Memko, thotë se “ky është një rast i mirë që nxënësit shqiptarë të tregojnë vlerat e tyre artistike dhe humane. Ata i kanë këto vlera, vetëm pritnin një nxitje, apo një shkak, një organizim të tillë për t’i shpalosur ato”.

Shtëpia e fëmijës në Shkozet ka 25 fëmijë të moshave 0-14 vjeç, me financim të dyfishtë si nga bashkia edhe nga ministria e punës dhe çështjeve sociale. Kësaj qendre i japin ndihma të ndryshme materiale dhe ushqimore kompani shqiptare e të huaja. Ky Qark ka edhe 6 qendra me 50 fëmijë jetimë në Durrës e Shkozet, mes të cilëve një pjesë e madhe janë fëmijë romë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG