Lidhje

Gjykata: Pse pafajësi për të akuzuarit e 21 janarit


Gjykata pranon se të paktën dy nga manifestuesit janë vrarë prej armëve të komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe oficerit Agim Llupo, por nuk ka prova për akuzën e vrasjes me dashje

Në Shqipëri gjykata e Tiranës zbardhi vendimin me të cilin ajo deklaroi të pafajshëm javën e shkuar dy drejtuesit e Lartë të Gardës të cilët ishin akuzuar për vrasjen e tre manifestuesve të opozitës gjatë protestave të dhunshme të 21 janarit. Në arsyetimin e vendimit, Gjykata ndonëse pranon se manifestuesit janë qëlluar me plumba të dala nga arma e komandantit të Gardës Ndrea Prendi dhe oficerit Agim Llupo, por sipas saj mungojnë provat që të vërtetojnë akuzën e prokurorisë për një vrasje me dashje.

Vendimi i plotë i gjykatës së Tiranës ishte pritur si rrallëherë me një interesim të vecantë, për shkak të zhurmës dhe polemikave të forta që ai shkaktoi javën e shkuar.Ndonëse Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 23 vjet për komandantin e Gardës Ndrea Prendi i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, një nga pjesmarrësit në protestën e 21 janarit, dhe 25 vite për drejtuesin e njësisë speciale Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e dy manifestuesve të tjerë Ziver Veizi dhe Hekuran Deda, Gjykata i shpalli ata të pafajshëm. Sipas prokurorisë të tre vrasjet ishin kryer me dashje, por Gjykata vlerësoi se nuk ekzistonin provat për ta vërtetuar një gjë të tillë.

Në rastin e Komandantit të Gardës Prendi, Gjykata shprehet se ka krijuar “bindjen që në fakt i pandehuri Ndrea Prendi me pistoletën e tij ka realizuar 11 qitje, nga të cilat njëra prej tyre ka perfunduar në trupin e viktimes Faik Myrtaj”. Por, shton Gjykata, “mungesa e hetimit nga organi procedues për të vërtetuar rrethanat, në të cilat ka qëlluar i pandehuri Ndrea Prendi dhe mungesa e të dhënave të faktit se përse duhej të qëllonte 11 herë i pandehuri Ndrea Prendi, çfare e ka detyruar ketë subjekt të posaçëm (në aspektin profesional ishte me gradë Gjeneral dhe me detyre Komandant i Gardës së Republikës) që të realizonte qitjen përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme për të vërtetuar akuzën e Vrasjes me dashje në rrethana cilësuese”. Në arsyetimin e saj Gjykata vijon më tej duke saktësuar se “Mungesa e fakteve të plota dhe hetimit të gjithanshëm në këtë drejtim i bëjnë të pamundur Gjykatës që të bindet tej cdo dyshimi te arsyeshem nëse kemi të bëjmë me ndonjë vepër tjetër penale në veprimet e të pandehur Ndrea Prendi apo jo”, shprehet gjykata duke motivuar arsyet se përse ajo nuk vendosi që të bënte një rikualifikim të akuzës.

I njejti arsyetim është përdorur edhe në rastin e drejtuesit të njësisë speciale Agim Llupo. Për rastin e vrasjes së Hekuran Dedës gjykata thotë se “për të provuar se me cilën arme është vrare ky person nuk ekziston asnjë provë shkencore dhe nuk ka mbetur as predha që i ka shkaktuar vdekjen pasi plaga është tej-shkuese. Nga ana e ekuzës nuk është bërë e mundur të identifikohet as lloji apo arma konkrete nga e cila ka dalë predha që ka shkaktuar vdekjen e këtij personi. Akuza ja atribuon vdekjen e ketij shtetasi veprimeve të të pandehurit Agim Llupo vetëm duke u bazuar ne deklarimet e disa dëshmitarëve të cilët ishin në rolin e protestueve”, të cilat Gjykata i vlerëson të pamjaftueshme.

Ndërsa për vrasjen e Ziver Veizit, gjykata shprehet se” u arrit të provohet se predha e vetme që i ka shkaktuar vdekjen këtij shtetasi ka dalë nga arma e të pandehurit Llupo”. Por në këtë rast ajo vlerëson se “predha e dale nga tyta e armes se te pandehurit Agim Llupo në momentin e qitjes nuk ka qenë e drejtuar nga i ndjeri Ziver Veizi, por nga përplasja me një trup të ngurte (dege apo trung peme), është dëmtuar në majë dhe ka ndryshuar drejtim duke goditur të ndjerin, të cilit i ka shkaktuar vdekje. Në këtë përfundim të sjellin analizat shkencore të lidhur më trajektoren balistike të plumbit te dalë nga arma e të pandehurit Agim Llupo”, thotë Gjykata e cila nuk ka marrë në konsideratë vlerësimet e një eksperti tjetër që e rrëzon mundësinë që plumbi të ketë bërë rikoshet.

Ashtu si dhe në rastin e komandantit Prendi Gjykata vlerëson gjithashtu se nuk ka prova që të vërtetojnë se oficeri Llupo “synonte dhe dëshironte ardhjen e pasojës tragjike, atë të vdekjes së të ndjerve Ziver Veizi dhe Hekuran Deda dhe te personave të tjere te plagosur”.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës u sulmua ashpër nga opozita ndërsa ambasada amerikane u shpreh se eshte “minuar besimi në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”. Ndërsa dje ambasadori i Osbe-së Eugen Wollafarth deklaroi se “pandëshkueshmëria në rastin e njerëzve të vdekur në rrugë, është një gjë që nuk mund të vihet në diskutim”. Me zbardhjen e vendimit të GJykatës së TIranës pritet që Prokuroria, ashtu sic kishte parlajmëruar të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit.
XS
SM
MD
LG