Lidhje

Gjykata administrative nis punën të hënën


Të hënën nisin punën për herë të parë në Shqipëri gjykatat administrative. Kjo përvojë e re është kërkuar për shumë vite nga qarqet e biznesit, por ngritja e tyre u vonua nga mospajtimet e partive politike. Gjyqtarët deklaruan në ceremoninë e sotme se ata do të përpiqen të fitojnë besimin e publikut qysh në ditët e para, duke goditur korrupsionin dhe shkeljet ligjore. Opinioni qytetar ka një mosbesim të madh ndaj sistemit të drejtësisë dhe percepton një nivel të lartë korrupsioni në radhët e tij.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë përuroi sot hapjen e gjykatave administrative të Tiranës dhe të Apelit, një përpjekje e re për të reformuar sistemin gjyqësor shqiptar. Në një ceremoni me trupën gjyqësore administrative, me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë dhe OSBE-ja, zëvendës-kryetari i KLD-së, Elvis Çefa, tha se kjo gjykatë është një garanci më tepër në marrëdhëniet e qytetarëve me administratën shtetërore. Ai theksoi se drejtësia në shërbim të qytetarit është një sfidë e madhe për të gjithë.

Zoti Çefa tha se gjykata administrative duhet të fitojë besimin e publikut qysh në fillim, duke u siguruar qytetarëve transparencë mbi veprimtarinë e gjykatave. Më pas folën drejtuesi i gjykatës administrative të apelit dhe asaj të Tiranës, duke shprehur angazhimin e tyre në zgjidhjen e konflikteve civile dhe në rifitimin e besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.

Gjykatat administrative nisin punën ditën e hënë, me përballimin e një morie konfliktesh nga komuniteti i biznesit. Gjykatat administrative u këshilluan nga disa misione ndërkombëtare si Bashkimi Europian dhe OSBE duke ndjekur përvojat më të mira perëndimore. Ngritja e këtyre gjykatave u vonua për afro dy vjet nga forcat politike, pasi projektligji për to u përfshi në një gup me tre ligje që BE kërkoi të miratohen me mirëkuptimin e të gjitha palëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG