Lidhje

Gjykata e Tiranës mbyll procesin e Gërdecit me dënime më të lehta sesa kishte kërkuar Prokuroria

  • Armand Mero

Katër vjet pas shpërthimit që i mori jetën në Gërdec 26 personave dhe plagosi afër 300 të tjerë gjykata e Tiranës mbylli procesin duke liruar nga akuzat e vrasjes tre të akuzuarit kryesorë si dhe duke dhënë dënime më të lehta nga c’kishte kërkuar prokuroria për të gjithë 28 të pandehurit e kësaj çështjeje.

Dënimin më të rëndë me 18 vjet burg e mori Ylli Pinari, ish drejtori i Meico-s ndërmarrjes shtetërore të import eksportit të armëve dhe drejtori i fabrikës së Gerdëcit Dritan Minxolli, ndërsa pronari i fabrikës Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet. Për të tre këta ishte kërkuar burgim i përjetshëm. Për ish shefin e shtabit Luan Hoxha i cili thuhet se është larguar nga vendi, dënimi ishte 6 vjet burg ndërsa disa ish gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Familjarë të viktimave shpërthyen në akuza që në sallën e gjyqit e më pas me anë të një deklarate u shprehën se ata ende nuk e dinë ende se kush i vrau të afërmit e tyre

Për disa minuta me radhë Zamira Durda, e ëma e një fëmije 6 vjecar i cili mbeti i vrare ne Gërdec, tentoi të mbajë të mbyllur derën e gjykatës së Tiranës e zhgënjyer nga vendimet e dhëna sot në përfundim të procesit të stërgjatë për shpërthimin i cili 4 vjet më parë, më 15 mars të 2008 i mori jetën 26 personave dhe la të plagosur afër 300 të tjerë ndërsa shumë shtëpi e ndërtesa u shkatërruan.

Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ish drejtorin i Meico-s Ylli Pinari, pronarin e fabrikës ku kryhej demontimi i municioneve Mihal Delijorgji si dhe drejtorin e asaj fabrike Dritan Minxolli. Ata ishin akuzuar ndër të tjera edhe për vrasje, por gjykata i dënoi për shkelje te rregullave ne pune, shkaterrim te prones pa dashje apo shperdorim te detyres, Pinarin (18 vjet burg), Minxollin (18 vjet burg) dhe Delijorgjin (10 vjet burgim)

Po ashtu, 10 vjet u dhanë dhe për Sokol Ngjecin, zyrtar i Meicos. Për ish kupolën e ushtrisë shqiptare dënimi më i madh i dha për ish shefin e shtabit Luan Hoxha, me 6 vjet nga 8 të kërkuar nga prokuroria, dy ish gjeneralë u shpallën të pafajshëm, ndërsa dy të tjerë u dënuan njëri, Dashnor Caushi me tre vjet, ndërsa tjetri Shpëtim Spahiu me katër vjet, por me kusht.

Për të tjerët, funksionare të ministrisë së mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim. Në total, gjykata dha mbi 90 vite burgim, gjoba dhe të paktën 7 të pandehur morën pafajsinë. Një vendim i cili që në sallën e gjyqit provokoi acarimin e familjarve të viktimave të cilët e quajtën të turpshëm ate.

Tensioni vazhdoi edhe jashtë sallës së gjyqit, ndërsa me anë të një deklarate, familjarët e viktimave duke ironizuar me vendimin e sotëm shprehen se "më fund është zbuluar se kush dëmtoi muret rrethuese të shtëpive, se cili shkaktoi dëm me anë të vjedhjes së municioneve, se kush falsifikoi dokumentat nga një zyrë e shtetit tek tjetra, por ngeli ende enigmë se cili vrau 26 veta nga të dashurit tane".

Më tej në deklaratë shkruhet se “autorët e krimit ose nuk u dënuan për krimin kryesor, atë të vrasjes së 26 personave të pafajshëm, ose nuk u gjykuan, si në rastin e Fatmir Mediut”, ish minisrit të Mbrojtjes në kohën e shpërthimit të Gërdecit, i cili falë imunitetit parlamentar nuk u përfshi në proces e madje nuk u thirr as si dëshmitar.

Nga të gjithë të pandehurit asnjë nuk ndodhet në qeli. Cëshja pritet të shkojë në gjykatën e Apelit ku, sic ndodh rëndom rrezikohet të ketë një tjetër proces disa vjeçar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG