Lidhje

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndëshkon Greqinë për shkelje në trajtimin e të burgosurve


Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndëshkon Greqinë për shkelje në trajtimin e të burgosurve
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ndëshkon Greqinë për shkelje në trajtimin e të burgosurve

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka ndëshkuar Greqinë për shkelje në trajtimin e të burgosurve. Vendimi i referohet trajtimit jo njerëzor në burgjet e Janinës për vitet 2008-2009 ku vujnë dënimin edhe mjaft të burgosur shqiptarë. Gjendja e burgjeve greke është e mbi populluar dhe herë pas here ka ngjallur kritikat e organizatave ndërkombëtare.

Burimet mediatike greke kanë pohuar se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka gjetur shkelje në trajtimin e të burgosurve në institucionet greke të paraburgimit. Sipas mjeteve kryesore greke të informimit vendimi i gjykatës trajton rastet e 47 të burgosurve mes të cilëve edhe 8 të huaj në burgun e Janinës në Greqinë e Veriut për periudhën 2008-2009. Në këtë burg vuajnë dënimin edhe disa dhjetëra emigrantë nga Shqipëria, të dënuar për vepra të ndryshme penale nga drejtësia greke.

Vendimi i Gjykatës Europiane, sipas medjave greke, nxjerr në pah problemet kronike që karakterizojnë burgjet greke. Vendimi referohet kushteve jashte standarteve ndërkombëtare duke pohuar se në një burg të projektuar për 80 persona vuanin dënimin 220 të burgosur pa kushtet minimale dhe me mungesa të theksuara të trajtimit.

Ky vendim i Gjykatës Europiane që e ndëshkon Greqinë për këtë trajtim , sipas komenteve të shtypit grek, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e situatës që mbizotëron në burgjet greke. Kjo situatë është përkeqësuar sidomos viteve të fundit me thellimin e krizës ekonomike dhe financiare që ka mbërthyer Greqinë.

Në fillim të këtij viti Komisioni Europian i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturave kishte lëshuar kritika të ashpra ndaj Greqisë, në lidhje me kushtet e mbajtjes së emigrantëve të paligjshëm dhe të të burgosurve. Ministria greke e Mbrojtjes së Qytetarit ishte përgjigjur se po ndërmerrte disa masa pavarësisht situatës së vështirë financiare.

Ministria greke kishte pohuar gjithashtu presionin e lartë të emigracionit sidomos nga disa vende të Afrikës së Veriut që e përdorin Greqinë si vend tranzit drejt vendeve të tjera perëndimore.

XS
SM
MD
LG