Lidhje

20-vjetori i Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi


Dita e sotme shënon 20-vjetorin e krijimit në Hagë të Gjykatës së posaçme të krimeve të luftës për ish-Jugosllavinë. Ajo ishte gjykata e parë ndërkombëtare e këtij lloji që nga gjyqet e Nyrembergut dhe të Tokios në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht nga dobësitë, shumë ekspertë ligjorë mendojnë se gjykata e Hagës vendosi disa precedentë të rëndësishëm për çështjen e krimeve të luftës.

Në vitet që nga themelimi i saj, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me qendër në Hagë, ka ngritur akuza kundër 161 personave për krime lufte të kryera në vitet 90 gjatë konflikteve në Bosnjë, Kroaci, Kosovë dhe Maqedoni të nxitura nga Serbia, luftra që shkaktuan 140,000 të vrarë dhe miliona të tjerë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Deri tani, 136 persona janë dënuar, ndërsa procedurat për 25 të tjerë janë në vazhdim.
Gjatë dy dekadave të fundit, për gjykatën janë shprehur si vlerësime ashtu edhe kritika. Ajo është mbështetur dhe penguar, sipas rastit, nga ish-palët luftuese. Nga disa ajo është përshkruar si fener shprese për viktimat e luftës, ndërsa nga të tjerë si një institucion i njëanshëm i ngritur për të ndëshkuar vetëm disa prej fajtorëve.

Por tani që gjykata po i jep fund veprimtarisë së saj - sepse rastet e fundit pritet të përfundojnë deri në korrik 2016 - në vendet e ish-Jugosllavisë duket se po shfaqet konsensusi në rritje se ngritja e Gjykatës së Hagës pati rëndësi të madhe për të venë në vend drejtësinë në këtë cep të gjakosur të Evropës.

"Në botën në të cilën jetojmë, ku zakonisht forca mbizotëron mbi drejtësinë, mbi ligjin dhe ligjshmërinë, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të kishte një institucion të tillë," thotë Mirsad Tokaca, hetues nga Bosnja i krimeve të luftës, i cili ka bashkëpunuar në një numër hetimesh të gjykatës.

Ndonëse ka një konsensus të gjerë se Gjykata e Hagës luajti rol kyç në mbrojtjen e drejtësisë ndërkombëtare dhe hodhi bazat për themelimin e Gjykatës së Përhershme Penale Ndërkombëtare, ajo është kritikuar shpesh për zgjatjen e jashtëzakonshme në kohë të disa rasteve të bujshme.

Gjyqi i Sllobodan Millosheviqi zgjati më shumë se katër vjet dhe ai vdiq në qelinë e burgut disa javë para se t'i shqiptohej dënimi. Gjyqi i politikanit nacionalist serb Vojisllav Sheshelj zgjati më shumë se pesë vjet dhe tani pritet vendimi në tetor. Ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u gjykua dhe u ri-gjykua në Hagë dhe procedura zgjati rreth pesë vjet.

Në nëntor të vitit 2012, ai u lirua më në fund nga akuzat për krime lufte të lidhura me konfliktin e viteve 1998-99 me Serbinë. Zoti Haradinaj nuk i mban mëri gjykatës megjithë kohëzgjatjen e procedurës.

"Ky është i vetmi institucion apo arbitër që e bëri këtë, kështu që nëse çështja shtrohet se, a ia vlen që ta kemi apo do të kishte qenë më mirë të mos e kishim, unë duhet të them se ia vlen," thotë zoti Haradinaj.

Pavarësisht nga dobësitë e saj procedurale, shumë ekspertë ligjorë mendojnë se gjykata vendosi disa precedentë të rëndësishëm për krimet e luftës dhe për të drejtën penale ndërkombëtare.

Veprimtarja serbe e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç, beson se roli më i rëndësishëm i gjykatës ishte se ajo e bëri të pamundur harrimin e krimeve.
Natasha Kandiç, Veprimtare e të drejtave të njeriut

"Është detyrë shumë e rëndësishme për shoqërinë civile që ta përdorë trashëgiminë e gjykatës për të treguar se ne nuk i harrojmë autorët e krimeve, por tani është akoma më e rëndësishme që të mos harrojmë as viktimat," tha zonja Kandiç.
XS
SM
MD
LG