Lidhje

Gjykata Kushtetuese rrëzon aktin normativ


Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pritet të publikojë vendimin e saj për të rrëzuar si antikushtetues aktin normativ të qeverisë, që shtyn disa muaj hyrjen në fuqi të ligjit për statusin e nëpunësit civil. Vendimi është konfirmuar prej mediave vendore nga burime të gjykatës dhe palë të interesuara në atë proces ankimor. Madje u mësua se votat e gjyqtarëve ishin 5 me 4, pra, vendimi është marrë me diferencë të ngushtë. Pas një ankimi të dytë të Partisë Demokratike, çështja u gjykua në themel dhe opozita pretendoi se me këtë akt normativ qeveria doli mbi parlamentin, duke shtyrë në kohë një ligj të miratuar me konsensus dhe me shumicë të cilësuar.

Qeveria e re mbrojti pikëpamjen se ligji për statusin e nëpunësit civil, edhe pse mori konsensus të gjerë dhe shumicë të cilësuar votash, është praktikisht i pazbatueshëm, sepse qeveria Berisha nuk përgatiti aktet nënligjore, që ai të hynte në përdorim normal. Përfaqësues të qeverisë pohuan se akti normativ është në përputhje me Kushtetutën, dhe qeveria ka gjithë të drejtën të miratojë një akt me fuqinë e ligjit, të cilin më pas e miratoi edhe parlamenti.

Në debatin disajavor mes qeverisë dhe opozitës ndërhyri drejtpërdrejt edhe Bashkimi Europian, përfaqësues, të të cilit deklaruan se edhe ata kanë konstatuar që ligjit të ri i mungojnë aktet nënligjore dhe vërtet ai është i pazbatueshëm në praktikë. BE nxiti palët që ndërkohë të bëjnë së bashku aktet nënligjore dhe të përparojnë me mirëkuptim në të gjitha çështjet politike dhe ligjore që ndesh vendi.


Opozita braktisi disa ditë parlamentin për aktin normativ dhe dërgoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë të dytë për shfuqizim, pasi kjo gjykatë rrëzoi kërkesën e parë ankimore të Partisë Demokratike për pezullimin e hyrjes në fuqi të aktit normativ për ligjin e “Nëpunësit Civil”. Para Gjykatës Kushtetuese, edhe presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nuk e dekretoi aktin normativ dhe e ktheu për rishqyrtim, me argumentin se një akt qeverie nuk mund të vonojë një ligj parlamenti.

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që e rrëzon aktin e qeverisë, ngre shumë pikëpyetje të reja mbi ecurinë e mëtejshme të çështjes, që futet në një qerthull diskutimesh të tjera konstitucionaliste: nëse përfundimet e Gjykatës kanë fuqi prapavepruese, kur do të botohen ato në Fletoren Zyrtare, çfarë do të bëjë këtej e tutje parlamenti dhe praktikisht çfarë do të bëhet me vetë statusin e nëpunësit civil dhe aktet nënligjore që mungojnë fare.

Ligji për statusin e nëpunësit civil ka një histori të paktën njëvjeçare; në një grup me 3 projekt-ligje statusi i nëpunësit u bë temë e debateve të ndezura mes qeverisë dhe opozitës socialiste, e cila kundërshtoi votimin e tyre me argumentin, mes të tjerash, se vendi kishte nevojë për zbatim ligji dhe jo për ligje të reja. PD dhe PS nuk i miratuan dot 3 ligjet me konsensus për një kohë të gjatë, edhe pse këtë e kërkoi Bashkimi Europian si një gjest të përmirësimit të klimës politike në Shqipëri në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe që Shqipëria të përfitonte statusin e vendit kandidat.

Statusi për nëpunësin u miratua më në fund në një seancë të jashtëzakonshme më 30 maj, votimi i fundit i parlamentit të kaluar, me shumicë të cilësuar votash nga pozita dhe opozita me kushtin që të hynte në fuqi në shtator pas zgjedhjeve. Por ligji mbeti pa akte nënligjore dhe qeveria e re e zotit Rama tha se në këtë gjendje ligji është i pazbatueshëm. Akti nënligjor, me të cilin qeveria kërkoi të shtyhej zbatimi i ligjit për gjashtë muaj u dërgua për miratim në parlament, por opozita kundërshtoi dhe braktisi seancat plenare. Parlamenti e miratoi aktin normativ vetëm me votat e maxhorancës më 17 tetor dhe ka dy muaj që vazhdon beteja ligjore në Gjykatën Kushtetuese, e cila i dha kësaj çështjeje një shtytje tjetër me vendimin më të fundit.

XS
SM
MD
LG