Lidhje

Gjykata kushtetuese e Gjermanisë mbështet pjesëmarrjen në paketat e ndihmave të BE-së


Gjykata kushtetuese e Gjermanisë mbështet pjesëmarrjen në paketat e ndihmave të BE-së
Gjykata kushtetuese e Gjermanisë mbështet pjesëmarrjen në paketat e ndihmave të BE-së

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë mbështeti pjesëmarrjen e vendit në fondin e Bashkimit Evropian të shpëtimit financiar, por vuri në dukje se parlamenti gjerman duhet të ketë më shumë zë në paketat e shpëtimit ekonomik në të ardhmen.

Gjykata vendosi sot se qeverisë gjermane i kërkohet që të kërkojë miratimin e komisionit buxhetor të parlamentit para se të marrë pjesë në ndonjë paketë tjetër ndihmash ekonomike me përmasa të mëdha.

Megjithatë, me anë të këtij vendimi, u hodhën poshtë disa akt-padi për të bllokuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në paketa ndihmash për Greqinë dhe vende të tjera të eurozonës.

Në këto akt-padi thuhej gjithashtu se paketa të tilla ekonomike shkelnin kushtetutën gjermane, duke i mohuar parlamentit të drejtën për të përcaktuar se si shpenzohen fondet e taksapaguesve.

Disa ekspertë thonë se ky vendim mund të zvarrisë procesin e miratimit të huave ekonomike për vende të eurozonës në vështirësi financiare.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se vendimi i gjykatës konfirmon vendimin e qeverisë së saj për të siguruar stabilitetin e euros, duke qënë pjesë e paketave të ndihmave financiare.

“Ne kemi nevojë për një union të stabilizuar dhe pikërisht këtë po përpiqemi të bëjmë”.

Kancelarja Merkel tha se e ardhmja e Gjermanisë është e pandashme nga e ardhmja e euros.

“Euroja është një garanci e një Evrope të bashkuar, me fjalë të tjera, nëse euroja dështon, Evropa dështon. Dhe me që një Evropë demokratike dhe e lirë është vendi ynë, euroja nuk duhet të lejohet të dështojë dhe nuk do të dështojë”.

Fondi emergjent i Bashkimit Evropian, i njohur si Ndihma Financiare për Stabilitetin Evropian, u krijua në maj të vitit të kaluar për të siguruar ndihma ekonomke për vendet e eurozonës me borxhe të mëdha.

XS
SM
MD
LG