Lidhje

Gjykata Kushtetuese refuzon sfidën ligjore të Vetëvendosjes për marrëveshjet me Serbinë

  • Leonat Shehu

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, refuzoi sot një kërkesë të lëvizjes Vetëvendosje e cila kishte sfiduar kushtetueshmërinë e një mocioni të parlamentit në mbështetje të marrëeveshjeve me Serbinë.
Bëhej fjalë për një vendim të 20 janarit ku “mirëpriteshin marrëveshjet” e arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përmes të cilit Parlamenti shprehte “mbështetjen për zbatimin e tyre të tërësishëm”.

Mocioni i 20 janarit shfuqizonte një mocion të miratuar më 7 dhjetor të viti 2011 që e detyronte qeverinë të zbatojë masa të ndërsjella me Serbinë.

Parashtruesit e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kishin theksuar se Kosova dhe Serbia janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare dhe konsiderojnë se vendimi i Parlamentit ishte “ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare”, që kërkonte procedurë të posaçme të paraparë me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi sot që hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme, pasi sic u shpreh ajo, natyra e kërkesës ishte jashtë juridiksionit të kësaj gjykate.

Përplasjet rreth këtyre mocioneve kishin çuar në protestat e lëvizjes Vetëvendosje me 14 janar gjatë të cilave pati të plagosur e të arrestuar si dhe më 22 janar, të cilat kaluan pa incidente.

Nëpërmjet atyre protestave, lëvizja Vetëvendosje synonte të nxiste zbatimin e masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë, duke e kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për lëshime ndaj Serbisë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG