Lidhje

SHBA: Mbahet në fuqi ligji për kujdesin shëndetësor

  • Xhim Malone

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara i dha presidentit Barak Obama një fitore të madhe, duke mbështetur një pjesë kyç të planit të tij të diskutueshëm të kujdesit shëndetësor në një vendim 5 me 4.

I ashtuquajturi "mandati individual" kërkon që amerikanët të kenë sigurim shëndetësor ose përballen me një dënim financiar apo taksë. Kryetari i Gjykatës, Xhon Roberts, u bashkua me krahun liberal të gjykatësve duke thënë se "meqë Kushtetuta e lejon taksimin, nuk është roli i gjykatës ta ndalojë atë, apo të vendosë për llogjikën apo dejtësinë e tij".

Gjykatësit Stivën Brajer, Ruth Bader Ginsburg, Elena Kagan dhe Sonia Sotomajor votuan me gjykatësin Roberts për t'a shpallur planin të ligjshëm.

Administrata Obama ka argumentuar se plani është i vlefshëm në bazë të Kushtetutës amerikane, sepse të gjithë amerikanët do të kanë nevojë për kujdes mjekësor në një fazë të jetës së tyre.

26 shtete kanë ngritur padi kundër këtij plani, duke thënë se individët nuk mund të jenë të detyruar për të blerë sigurim shëndetësor, pavarësisht nëse kanë nevojë ose jo.

Analistët thonë se ky vendim i Gjykatës së Lartë mund të shtojë shpresat e Presidentit Obama për t’u rizgjedhur këtë vit, por ata paralajmërojnë njëkohësisht se kundërshtarët e tij konservatorë për këtë ligj mund të mobilizohen së tepërmi nga vendimi i Gjykatës. Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama ishte në formë festive.

"Pavarësisht nga politika, vendimi i sotëm ishte një fitore për të gjithë popullin në mbarë vendin, pasi jeta e tyre do të jetë më e sigurt si rezultat i këtij ligji dhe vendimit të Gjykatës së Lartë për ta lënë atë në fuqi”.

Nga ana tjetër, personi që mendohet se do të jetë rivali i tij republikan në zgjedhjet e nëntorit, ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni, përsëriti premtimin e fushatës së tij për të punuar me Kongresin për abrogimin e këtij ligji, që shpeh është quajtur "Obamacare."

"Atë që gjykata nuk e bëri në ditën e saj të fundit të këtij sesioni, unë do ta bëj në ditën e parë nëse zgjidhem president i Shteteve të Bashkuara. Unë do të veproj për anullimin e ligjit Obamacare."

Vendimi i Gjykatës së Lartë për lënien në fuqi të ligjit të kujdesit shëndetësor i kapi në befasi disa analistë, sepse pesë anëtarët konservatorët të gjykatës shpesh votojnë 5 me 4 për vendimet. Por këtë hetë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts, i cili u emërua në gjykatë nga presidenti republikan, Xhorxh W. Bush, iu bashkua katër antëarëve më liberalë të gjykatës, duke bërë që ligji të qendrojë në fuqi.

Analisti Norman Ornstin i Institutit të Uashingtonit American Enterprise thotë se vendimi është një fitore e madhe politike për Presidentin Obama.

"Këto janë zgjedhje, rezultati i të cilave do të përcaktohet shumë më tepër mbi bazën e ekonomisë se sa çdo gjëje tjetër. Por ky është një plus i madh për presidenin, pasi përparësia e tij kryesore dhe arritja e tij më e madhe i rrezistoi gjykimit të Gjykatës së Lartë”.

Përkrahësit e Presidentit Obama shpresojnë që vendimi i Gjykatës së Lartë do t’i shtojë shanset e tij për t’u rizgjedhur në muajin nëntor. Por anketuesi i Universitetit Quinnipiak, Pitër Braun, thotë se vendimi i gjykatës i la të zhgënjyer dhe në disa raste i acaroi konservatorët dhe aktivistët e lëvizjes Tea Party, të cilët tani mund të bëhen edhe më të vendosur në fushatën e tyre kundër Presidentit Obama.

"Kjo është një ditë e mirë për presidentin nga ana politike. Gjykata mbështeti arritjen e tij më të madhe. Por kjo nuk do të thotë se republikanët do të ndalin fushatën e tyre kundër ligjit, në fakt, kjo qartazi do t’i japë Mit Romnit një çështje që do ta trajtojë për të tërhequr një pjesë të elektoratit”.

Analisti politik, Çarli Kuk, thotë se shumica e amerikanëve e kanë vendosur tashmë se çfarë do të bëjnë për ligjin e kujdesit shëndetësor dhe vendimi i Gjykatës së Lartë do të ketë pak ndikim në zgjedhje.

"A ka ndonjë çështje tjetër që është diskutuar më shumë se sa reforma e kujdesit shëndetësor nga opinioni publik? Mendoj se në çfardo ane që të jenë njerëzit, nuk ka të ngjatë që pas këtij vendimi të ndryshojnë”.

Morton Kondracki, kryeredaktor i gazetës Roll Call, thotë se votuesit do të vendosin kryesisht zgjedhjet presidenciale në bazë të ekonomisë dhe jo të kujdesit shëndetësor.

"Kjo nuk i jep ndonjë avantazh Obamës, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Por ajo që ka me të vërtetë peshë është shifra e papunësisë në muajin tetor. Nëse Evropa dështon, do të kemi një recesion të dyfishtë, gjë që do ta dëmtojë Obamën edhe pse nuk do të jetë vetëm faji i tij. Prandaj për mendimin tim ky nuk është faktor vendimtar në zgjedhjet e nëntorit".

Vendimi i Gjykatës së lartë për kujdesin shëndetësor ishte ngjarja e pritur më me padurim që nga vendimi i gjykatës për zgjedhjet presidenciale në viti 2000, një vendim 5 me 4 pas të cilit Xhorxh W. Bushi u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale ndaj rivalit të tij demokrat, Al Gor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG