Lidhje

Gjykata e Lartë debaton një ligj për votimin


Një ligj kyç për të drejtat civile i viteve 1960 që kontribuoi në garantimin e së drejtës së pakicave për të votuar po rishikohet nga Gjykata e Lartë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni:

Kongresi e miratoi Ligjin për të Drejtën e Votës në vitin 1965, në mes të betejës për të drejta civile, veçanërisht në shtetet e thella të Jugut ku diskriminimi racor ishte shumë i përhapur.

Një pjesë e rëndësishme e ligjit e njohur si Seksioni 5 i jep qeverisë federale të drejtën që të miratojë paraprakisht ose të bllokojë ndryshimet në procedurat e votimit të miratuara nga shtetet dhe strukturat lokale në zona ku afrikano-amerikanët historikisht janë përballur me vështirësi të mëdha për të votuar. Sipas Kushtetutës amerikane, shtetet kanë kompetencat kryesore në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Kogresi ka votuar disa herë për ta mbajtur në fuqi këtë ligj. Hera e fundit ishte në vitin 2006. Por tani disa grupe dhe zyrtarë konservatorë nga disa shtete ku vepron ky ligj, thonë se atij i ka ikur koha dhe nuk është më i nevojshëm.

Butch Ellis është prokuror në disktriktin Shelby të Alabamës që po sfidon një pjesë kyce të Ligjit për të Drejtën e Votës. Ai foli me gazetarët para Gjykatës së Lartë.

“Është arritur një pëparim i madh gjatë 48 vjetëve të fundit. Unë kam qenë prokuror që nga viti 1964. Isha 24 vjeç kur seksioni 5 hyri në fuqi. Tani jam 73 vjeç dhe po ndjekim akoma të njëjtën formulë, që nuk është zbatuar prej shumë e shumë vjetësh”.
Disa nga gjykatësit më konservatorë në Gjykatën e Lartë duket se shprehën mosbesim për ligjin gjatë diskutimit për të. Ata e vunë në pikëpyetje faktin nëse ligji i miratuar në vitin 1965, është ende i nevojshëm pas 50 vjetësh.

Ligji për të Drejtën e Votës ishte rezultat i betejës së përgjakshme për të drejtat civile në Jug të Shteteve të Bashkuara në fund të viteve 1950 dhe në fillim të viteve 1960.

Grupet e të drejtave civile dhe administrata e Presidentit Obama e mbrojtën ligjin para Gjykatës së Lartë. Ata e pranojnë që është arritur një farë përparimi në shtetet ku ka vepruar ligji gjatë dekadave të fundit. Por ata gjithashtu argumentojnë se ligji është një instrument i dobishëm për të siguruar që juridiksioni i shteteve dhe organeve lokale të mbrojë të drejtën e të gjithë amerikanëve për të votuar, pavarësisht nga raca.

Kongresmeni John Lewis, demokrat nga Georgia ishte rrahur rëndë në vitin 1965 ndërsa drejtonte një marshim për të drejtën e votës në Alabama. Ai foli në para Gjykatës së Lartë.

“Ne kemi ecur shumë përpara që atëherë, dhe një nga arsyet kryesore ka qenë edhe Ligji për të Drejtën e Votës. Disa njerëz përmendin faktin që kemi anëtarë të Kongresit që janë afrikano-amerikanë dhe që Presidenti është afrikano-amerikan. Por nuk jemi akoma në atë pikë”.

Analistët ligjorë e shohin Ligjin për të Drejtën e Votës si një nga ligjet historike të të drejtavë civile të viteve 1960. David Savage mbulon Gjykatën e Lartë për gazetën Los Angeles Times.

“Ky ligj ka një rëndësi të jashtëzakonshme në historinë amerikane. Të gjithë, përfshirë ata që e kritikojnë ligjin e pranojnë se Ligji për të Drejtën e Votës është një nga ligjet më të rëndësishme për të drejtat civile në historinë amerikane sepse i lejoi pakicat të votonin”.

Ekspertët ligjorë thonë se çështja e së drejtës për të votuar është një nga më të rëndësishmet për sesionin aktual të Gjykatës së Lartë, e cila pritet ta japë vendimin e saj për këtë ligj para fundit të qershorit.
XS
SM
MD
LG