Lidhje

Gjykata: Mbledhja e tabulateve e paligjshme


Një gjykatë apeli në Nju Jork vendosi që mbledhja e tabulateve telefonike të amerikanëve nga agjencia e sigurimit kombëtar, NSA, është e paligjshme, dhe përtej qëllimit të autorizuar nga kongresi.

Vendimi, i përfshirë në një dokument prej 97 faqesh, u mor nga gjykata e apelit e shkallës së dytë, e përbërë nga 3 gjykatës, dhe ishte në përgjigje të ankesës gjyqsore e paraqitur nga Unioni amerikan i të drejtave civile ACLU. Përgjimi i telefonatave ishte i panjohur për thuajse të gjithë amerikanët deri dy vjet më parë kur ish kontraktori i NSA, Edward Snowden nxori një tufë dokumentash rreth këtyre përgjimeve, para se të ikte nga vendi, për të marrë strehim në Rusi.

Gjykata nuk flet mbi kushtetueshmërinë e mbledhjes së të dhënave telefonike nga NSA, por thotë se përgjimet kapërcyen autorizimin që kishte dhënë kongresi. Vendimi thotë se qeveria as që pretendon se mbledhja e informatave kishte lidhje me ndonjë hetim terrorist, por vetëm se ato mund të përdoreshin në të ardhmen nëse lindte nevoja ose dëshira.

Vendimi i sotëm hedh poshtë vendimin e një gjykate më të ulët që thoshte se përgjimi ishte i ligjshëm. Ligji i tanishëm mbi përgjimet telefonike nga NSA skadon më 1 qershor dhe kongresi është duke debatuar nëse ta zgjasë ose modifikojë atë.

XS
SM
MD
LG