Lidhje

Gjykata urdhëron ndërprerjen e grevës së urisë

  • Armand Mero

Afati i fundit është në mesnatë. Ish të përndjekurit kundërshtojnë dhe deklarojnë se nëse nuk lejohen të qëndrojnë do të rinisin protestën në mjedis tjetër

Në Shqipëri gjykata e Tiranës vendosi sot të urdhërojë shpërndarjen e grevës së urisë së një grupi ish të përndjekurish politik e cila po zhvillohet prej 26 ditësh. Vendimi i gjykatës u mor pas kërkesës së policisë, sipas së cilës gjatë grevës janë kryer vepra me rrezikshmëri për jetën, duke ju referuar këtu rastit të dy grevistëve që i vunë flakën vetes. Ish të përndjekurit e cilësuan vendimin si të nxitur nga qeveria dhe deklaruan se janë të vendosur të mos largohen nga greva. Nëse do të ketë ndërhyrje të policisë atëherë ata janë shprehur se do ta rinisin protestën e urisë në një mjedis tjetër. Sipas vendimit të Gjykatës greva duhet të shpërndahet brenda orës 24 të mbrëmjes së sotme.



Morën një kthesë të papritur sot zhvillimet rreth grevës së urisë të ish të përndjekurve politik. Me një vendim të saj gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë kërkesës së policisë për të shpallur grevën të paligjshme dhe për të urdhëruar shpërndarjen e saj. Policia e kishte motivuar kërkesën e saj me “akte që sjellin rrezikshmëri për jetën”, të ndodhura në mjediset e grevës duke ju referuar rasteve të grevistëve që i vunë flakën vetes si dhe me faktin se protesta po zhvillohet pa leje.

Reagimi i ish të përndjekurve ka qenë i menjëhershëm: “Në kuadrin e zotërimit të të gjithë pushteteve në Shqipëri dhe nënshtrimit të cdo institucioni ndaj kryepushtetarit Sali Berisha, edhe gjykata e cila nuk i ka shpëtuar dot influencave politike, mori një vendim tejet të gabuar në kundërshtim me cdo të drejtë të qytetarëve për të protestuar”, deklaroi Fatmir Lamaj, i cili pak minuta pasi bëri këtë deklaratë ka shfaqur probleme në zemër dhe është transferuar menjëherë në spital.

Mesnata është afati i fundit i përcaktuar nga gjykata për shpërndarjen e grevës. Ish të përndjekurit shprehen se ata nuk do të largohen, por se në rast se do të lëvizen me forcë, ata do të rinisin protestën e urisë në një tjetër mjedis, deri në plotësimin e kërkesave. Por autoritetet këmbëngulin se ligji për kompensimin financiar është respektuar në mënyrë rigoroze. M

egjithatë zërat ndërkombëtar drejtuar qeverisë që të bisedojë me ish të përndjekurit janë forcuar. Dje ishte Amnesty International që i bëri thirrje kryeministrit për dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje të problemeve të ngritura nga ish të përndjekurit. Edhe ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu në një intervistë për ABC News tha se nuk kishte arsye “pse dikush nga qeveria të mos shkojë dhe t’i dëgjojë ish të përndjekurit, pa e parë këtë si kapitullim”. Sipas tij “cdo qeveri e ka detyrim që të zhvillojë dialog, qoftë edhe me dikë të cilit do të donte ti vinte duart në fyt, sepse është zgjedhur për të drejtuar të gjithë vendin jo vetëm pjesën që e ka votuar”.

Së bashku me ambasadorin e delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Ettore Sequi, ambasadori amerikan Arvizu është angazhuar publikisht për të mbështetur një zgjidhje të problemit të ish të përndjekurve politikë. Falë ndërhyrjes së tyre, javën e shkuar u bë i mundur edhe takimi i tyre me presidentin Bujar Nishani, i vetmi kontakt i deritanishëm me autoritetet, pavarësisht se nuk ndryshoi asgjë në rrjedhën e ngjarjeve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG