Lidhje

Mungesë transparence në punën e gjykatave në Shqipëri


Në Tiranë, sistemi gjyqësor vlerësohet si elementi i pushtetit me më pak transparencë. Instituti Shqiptar i Shkencës dhe gazetarët e kronikës së zezë diskutuan sot me shqetësim mbi vështirësitë e shumta që ndeshin gjatë pasqyrimit të veprimtarisë së gjykatave. Sot është Dita Ndërkombëtare e të Dhënave të Hapura, dhe temë kryesore e debateve të pjesëmarrësve ishte fikja e serverit të gjykatës së kryeqytetit.

Mungesa e transparencës për punën e gjykatave
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Instituti Shqiptar i Shkencës vlerësoi sot në Ditën Ndërkombëtare për të Dhënat e Hapura se sistemi i drejtësisë është pushteti më pak transparent në Shqipëri, pohoi drejtuesja e tij, Aranita Brahaj.

Gjykata e Tiranës ka fikur serverin e informacioneve për proceset gjyqësore dhe palët ndërgjygjëse, ndërsa në gjykata të tjera dhe në institucione të ndryshme të drejtësisë gazetarët e kronikës së zezë e kanë përherë e më të vështirë të marrin informacione mbi personat e pandehur para gjyqit.

Gazetari i kronikës së zezë në stacionin Report Tv, Arsen Rusta, thotë se transparenca e institucioneve është në kufijtë minimalë, dhe ato japin vetëm të dhëna, që u interesojnë atyre dhe censurojnë informata që i interesojnë opinionit publik.

Vëzhguesit pohojnë se të dhënat mbi punën e përditshme gjyqtarëve mungojnë gjerësisht dhe kështu nuk mund të krijohet asnjë ide mbi rezultatet e gjykimit dhe karrierës së tyre.

Kjo mbyllje e gjyqtarëve ndaj mediave vjen pikërisht tani pasi në disa vite shumë donatorë kanë investuar në dixhitalizimin e sistemit gjyqësor.

Zoti Rusta thotë se policia është institucioni më i hapur sa i takon shpërndarjes së informacionit, por të dhënat e tyre mbeten të fillestare sa kohë që gazetari nuk ndjek dot më tej fatin e të arrestuarit dhe nëse ai u dënua apo doli i pafajshëm për akuzat.

Tashmë thotë ai edhe gjyqet me dyer të hapura nuk ndiqen dot aq lehtë, sepse kjo ka mbetur thjesht në dëshirën e gjyqtarit të pranojë gazetarë në seancën gjyqësore, ndërsa serveri i gjykatës më të madhe në vend është i fikur.

Sistemi gjyqësor shqiptar është përfshirë në një reformë të thellë në të gjitha nivelet dhe strukturat e tij pasi ky aktuali vlerësohet dhe perceptohet gjerësisht nga publiku si institucioni më i korruptuar i Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG