Lidhje

Gjykata Speciale për Kosovën, selia në Hagë


Netherlands EU International Court
Netherlands EU International Court

Qeveria e Holandës njoftoi sot se Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë do të krijohet në Hagë. Gjykata do të merret me akuzat për krime gjatë viteve 1999 – 2000 të ngritura ndaj pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata e financuar nga Bashkimi Evropian do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Qeveria e Holandës thotë se selia e Gjykatës Speciale do të jetë në Hagë, pasi dëshmitarët mund të ndiheshin të kërcënuar në se proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë.

Ministri i Jashtëm holandez Bert Koenders u shpreh se "Është e rëndësishme që drejtësia të bëhet dhe se jemi të kënaqur që Holanda të jetë në gjendje të ofrojë një shtëpi kësaj gjykate".

Ndërsa ministri i drejtësisë Ard van der Steur tha se “Holanda beson se ka një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim, si vend pritës i një numri të gjykatave të posaçme ndërkombëtare”.

Akuzat për krime lufte nga anëtarë të UÇK-së, u ngritën në një raport të Këshillit të Evropës në vitin 2010 nga senatori sviceran Dick Marty. I ashtuquajturi “Raporti Marty”, përmban akuza ndaj ish anëtarëve të UÇK-së për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi një Grup të Posaçëm Hetimor për të hetuar rreth akuzave të raportit Marty.

Kryeprokurori i parë Clint Williamson, njoftoi në korrik të vitit 2014 se ai kishte gjetur mjaft prova për të ngritur akuza ndaj disa ish drejtuesve të UÇK-së, që sipas tij, ishin përgjegjës për një fushatë të organizuar rrëmbimesh, arrestimesh të paligjshme, vrasje pa gjyq dhe dhunë seksuale. Sipas tij, shumica e viktimave ishin pjesëtarë të grupeve të tjera pakicë në Kosovë – serbë, roma e të tjerë, por edhe shqiptarë të konsideruar bashkëpunëtorë të serbëve, ose kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së. Lidhur me akuzat për “trafikim organesh”, zoti Williamson vinte në dukje se nuk kishte gjetur mjaft prova sa për të ngritur akuza.

Në maj të vitit të kaluar, kryeprokuror i posaçëm u emërua amerikani David Schwendiman.

XS
SM
MD
LG