Lidhje

Zaganjori: Shpërthimet tronditën shoqërinë


Shqipëri, kryetari i Gjykatës së Lartë komenton ngjarjet e rënda të bombave në Tiranë: “Garantimi i rendit dhe qetesisë është një nga detyrat elementare të Shtetit”

Në Shqipëri, kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori tha sot se ngjarjet e fundit në Tiranë ku javën e shkuar pati dy shpërthime me eksploziv, ndërsa dy bomba të tjera u gjetën pranë zonave të populluara, kanë tronditur shoqërinë.

“Garantimi i rendit dhe qetesisë është një nga detyrat elementare të shtetit dhe këto fenomene të kohëve të fundit e kanë tronditur shoqërinë, por urojmë e shpresojmë që të gjendet bashkëpunimi dhe forca e duhur, për t’u përballur. Lufta kundër kriminalitetit është një detyrë permanente e Shtetit dhe një nga kushtet thelbësore për një jetë të qetë të qytetarit. Ka një shprehje që thotë se një Shtet që nuk është në gjendje të garantojë një minimum të rendit dhe qetësisë nuk është më i mirë se diktatura më e keqe”, u shpreh kryetari i Gjykatës.

Zoti Zaganjori shtoi se lufta kundër kriminalitetit kërkon sipas tij dhe “një bashkëpunim sa më të mirë së pari mes vetë politikës, mes pozitës dhe opozitës sepse krimi - nënvizoi ai - nuk ka ngjyrime politike, por kërkon bashkëpunim të të gjithë mekanizmave të shtetit por dhe të politikës”.

Komentet e tij zoti Zaganjori i bëri gjatë një konference shtypi ku ai paraqiti aktivitetin e Gjykatës së Lartë gjatë vitit që shkoi. Kjo Gjykatë vazhdon të ketë një numër të madh cështjesh në pritje, mbi 11 mijë dosje, ndërkohë që gjatë 2014 u shqyrtuan ato që i përkasin vitit 2012 dhe 2013.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG