Lidhje

Gjykatat në jug të Shqipërisë pezullojnë shqyrtimin e kërkesave për ndërrim kombësie

  • Raimond Kola

Gjykatat në jug të Shqipërisë pezullojnë shqyrtimin e kërkesave për ndërrim kombësie

Gjykatat në jug të Shqipërisë pezullojnë shqyrtimin e kërkesave për ndërrim kombësie

Disa gjykata në jug të Shqipërisë kanë pezulluar shqyrtimin e kërkesave për ndërrimin e kombësisë. Vendimi vjen në një kohë kur në Shqipëri janë publikuar ditët e fundit shkelje të shumta në proceset gjyqësore për ndërrimin e kombësisë.

Në Gjykatën e Gjirokastrës dhe Përmetit llogariten rreth dy mijë persona që kanë ndryshuar kombësinë përmes vendimeve gjyqësore nga shqiptarë në grekë, ndërkohë që ky numër është i lartë edhe në disa gjykata të tjera të vendit.

Ndërkohë edhe korniza ligjore për këtë proces ka pasur mjaft diskutime. Disa kryetarë gjykatash si ata të Gjykatës së Sarandës dhe Gjykatës së Përmetit e kanë dërguar ligjin për “Gjendjen civile”, mbi bazë të të cilit janë pranuar ndërrimet e kombësisë, për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Drejtuesit e gjykatave të faktit në këto qytete kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të shpallë të papajtueshëm me Kushtetutën e vendit termin “kombësia” të përcaktuara në Ligjin “Për Gjendjen civile”.

Mësohet se një seancë plenare e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje pritet të mbahet sot. Interpetimi i këtij organi pritet me mjaft interes edhe për shak të debateve të ndezura në vend për këtë çështje.

Krahas kërkesës për interpretim juridik në Shqipëri ka nisur ditët e fundit edhe një iniciativë për të mbledhur mbi 20 mijë firma për t’iu drejtuar më pas Parlamentit dhe Presidentit për anulimin e disa dispozitave të Ligjit për Gjendjen Civile.

Reagimet për ndërrimin e kombësisë erdhën në një kohë kur në Shqipëri po përgatitej të kryhej regjistrimi i popullsisë. Procesi përfshinte në formular deklarimin e kombësisë dhe fesë dhe kjo është kundërshtuar nga disa rrethe juridike dhe një seri organizatash dhe forumesh në Shqipëri. Nga ana tjetër Partia e të Drejtave të Njeriut dhe organizata e pakicës greke “Omonia” e kanë quajtur në përputhje me të drejtat e minoritetit standartin e parashikuar nga procesi i regjistrimit.

Qeveria shqiptare e shtyu këtë proces, i cili pritej të niste në muajin prill, për në vjeshtë duke e argumentuar vendimin me klimën e zgjedhjeve për organet e qeverrisjes vendore që pritet të mbahen më tetë maj.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG