Lidhje

Gjykatat shqiptare përballë sfidës së standarteve dhe mungesave të shumta


Gjykatat shqiptare përballë sfidës së standarteve dhe mungesave të shumta
Gjykatat shqiptare përballë sfidës së standarteve dhe mungesave të shumta

Reforma e sistemit gjyqësor u kthye sërish në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe diskutimeve politike. Analistët pohojnë se ndërhyjet, presionet politike, korrupsioni dhe paaftësia pengojnë vendosjen e drejtësisë, por gjyqtarët nga ana e tyre tregojnë për shqetësime më të thjeshta si mungesa e mjediseve në gjykata, dhe vjetërimi i ligjeve. Gjykata e Tiranës shqyrton 30 mijë çështje gjyqësore në vit me 58 gjyqtarë, pra 2 mijë e 500 gjyqe në muaj, ose 45 gjyqe në muaj për çdo gjyqtar me dhjetëra seanca secila. Kryetari i gjykatës së Tiranës Artan Zeneli, thotë se kushtet e punës janë të vështira, kodet proceduriale janë vjetëruar ndaj edhe reforma është mëse e nevojshme.

“Së pari Gjykata e Tiranës është gjykata më shumë e ngarkuar me çështje dhe këtu kushtet janë shumë të vështira. Gjyqtarët punojnë në kushte të vështira zyrash dhe në salla të pakta gjykimi. Gjyqtarët më shumë gjykojnë në zyra se sa në salla. Infrastruktura është shumë e dobët. Gjykata e Tiranës është e ndarë në dy ndërtesa dhe efektivisht është e pamundur të realizohet një kontroll për arritjen e parametrave optimalë dhe standarteve të gjykimit. Por, akoma më e rëndësishme është nevoja për reformimin e procedurave të gjykimit. Procedurat janë tejet formale. Të dy kodet e procedurave që punojnë gjykatat sot në të gjithë Shqipërinë janë të viteve 1996 dhe 1995. Atëherë ishte një nivel tjetër dhe nuk ishin këto standarte që kërkohen sot” - thotë zoti Zeneli.

Gjyqtarët pranojnë se ka një perceptim negativ për punën e sistemit gjyqësor, por, sipas tyre, kjo nuk shkaktohet vetëm nga paaftësia dhe korrupsioni, siç thuhet rëndom. Drejtuesja e Gjykatës së Lezhës, Fjoralba Qinami, thotë se puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë sot në Shqipëri kur po dënohen kriminelë të rrezikshëm. Sipas saj, në infrastrukturën e gjykatave ka mungesa të ndjeshme, por edhe pagat e gjyqtarëve duhen rishikuar, sepse ata nuk duhen lënë nën presionin dhe tundimin e rryshfeteve, ndërkohë që jetesa po shtrenjtohet njëlloj si për shtëpitë e gjykatësve edhe për shtëpitë e qytetarëve. Ndërsa sa i takon heqjes apo jo të imunitetit të gjyqtarëve, kjo - thotë zonja Qinami - nuk është temë kryesore dhe nuk e pengon reformimin e sistemit gjyqësor.

“Çështja e imunitetit të gjyqtarëve i përket vendimmarrjes politike. Ne si gjyqtarë jemi të hapur ndaj çfarëdolloj vendimmarrjeje që politika do të ketë për këtë çështje. Ne si gjyqtarë realisht nuk na shqetëson çështja e heqjes apo jo e imunitetit. Gjyqtarët, si me imunitet si pa imunitet, normalisht do të vazhdojnë të kryejnë detyrat dhe të përmbushin misionin e tyre të drejtësisë, konform të gjitha ligjeve dhe rregullave të shtetit” - thotë zonja Qinami.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë po kryen disa kontrolle në gjykatat e vendit për të nxitur përmirësimin e punës, por megjithatë shumë gjyqe shtyhen me muaj e vite të tëra për shkak të gropave që kanë ligjet e vjetra. Nën-kryetari i K.L.D.-së, Kreshnik Spahiu, thotë se problemi kryesor që po vonon reformimin e sistemit të drejtësisë është ngecja në parlament e shumë projekt-ligjeve të reja, që duhen miratuar me shumicën 3/5 e votave të deputetëve.

“Për afro dy vjet kemi një infrastrukturë ligjore të bllokuar, të paralizuar, për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit për miratimin e ligjeve të cilat kanë nevojë për 3/5; duke filluar nga ligji i ri për K.L.D.-në, ligji për ministrinë e drejtësisë, ligji për Gjykatën e Lartë, ligji për ngritjen e gjykatave administrative, ligji për administratën gjyqësore, e deri tek Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale. Janë pra, shumë ligje të rëndësishme materiale dhe proceduriale të cilat kanë nevojë për shumicë votash të cilësuar në Kuvend. Nga ana tjetër ka një sërë faktorësh që ndikojnë në fuqizimin dhe eficensën e pushtetit gjyqësor, të cilat janë; një mbështetje buxhetore më e lartë, investime në infrastrukturë dhe një status më i fortë për gjyqtarët” - thotë zoti Spahiu.

Sondazhe dhe anketa të ndryshme flasin për një perceptim ende të lartë të qytetarëve mbi korrupsionin në sistemin e drejtësisë, ndërsa përfaqësuesit e gjykatave pohojnë se reformimi i këtij sistemi duhet të nisë nga parlamenti dhe deputetët, bashkë me vullnetin e duhur politik të tyre.

XS
SM
MD
LG