Lidhje

Emërohen dy anëtarë të Gjykatës së Lartë


Presidenti Nishani propozoi sot gjyqtarët Petrit Ceno dhe Gjovalin Përnocaj. Për kandidaturat do të vendosë parlamenti. Pritet vendimi i socialistëve

Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani dekretoi sot emrat e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, pas ndryshimit të ligjit për këtë gjykatë i cili parashikon rritjen e numrit të anëtarëve të saj

Presidenti Nishani ka propozuar emrat e dy gjyqtarëve, atë të Petrit Cenos, me një karrierë 21 vjecare në radhët e gjyqësorit i cili ka drejtuar edhe Gjykatën e Durrësit dhe atë të Apelit në Durrës. Emri i dytë është ai i Gjovalin Pernocës, po ashtu gjyqtar me eksperiencë të gjatë në disa gjykata të shkallës së parë si dhe në atë të Apelit të krimeve të rënda.

Propozimet e presidentit Bujar Nishani vijnë pasi një faze të parë seleksionimi ku u përzgjodhën 21 emra, 8 që vinin nga radhët e gjyqësorit dhe 13 të tjerë ishin me profesion juristë. Dy javë më parë kreu i shtetit pati edhe konsultime me drejtuesit e grupeve parlamentare.

Propozimet e sotme do t’i nënshtrohen vlerësimit të parlamentit. Socialistët kanë kritikuar disa emërime të mëparshme të presidentit si të afërta me të djathtën kur ajo ishte në pushtet. Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci shprehu rezerva pas konsultimeve me zotin Nishani, por mbetet të shihet në ditët e ardhshme se cili do të jetë vendimi i tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG