Lidhje

Gjykata e Lartë, përlasje mes presidentit e shumicës

  • Armand Mero

Presidenti Nishani reagon pas rrëzimit mbrëmë nga e majta e dy kandidaturave për Gjykatën e Lartë: “refuzimi përmes një truku procedurial”

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani reagoi sot ashpër ndaj shumicës së majtë e cila mbrëmë rrëzoi dy kandidaturat e tij për në gjykatën e Lartë, atë të kryetarit të gjykatës së Apelit në Durrës Petrit Ceno, dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit të krimeve të rënda Gjovalin Pernocaj. Shumica deklaroi se kreu i shtetit nuk kishte respektuar procedurën e përcaktuar nga ligji për Gjykatën e Lartë. Por presidenti Nishani u shpreh sot se sipas tij refuzimi është bërë përmes një truku procedurial. Ai konsideron të gabuar qasjen e shumicës ndaj tij ndërsa e sheh atë si "palën armike përballë", shprehet Presidenti në reagimin e tij


Marrëdhëniet asnjëherë të ngrohta mes presidentit Bujar Nishani i zgjedhur nga radhët e së djathtës dhe socialistëve, duket se kanë marrë një krisje të fortë, tanimë edhe publike. Rrëzimi i dy kandidaturave të presidentit për vendet vakante në Gjykatën e lartë, ishte bërë i qartë që në mbledhjen e dy ditëve më parë në komisionin e Ligjeve dhe votimi i mbrëmshëm nuk përbënte ndonjë surprizë. Por mbrëmë në parlament shumica e majtë, duke marrë shkas nga cështja e dekreteve e duke folur për gjendjen në sisitemin e Drejtësisë nuk kurseu tonet e forta ndaj presidentit.

“Sistemi është sot në kolaps, sepse është marrë peng, është kapur drejtimi i tij. Nuk besoj se ka njeri në këtë sallë që hamendëson se sot ne kemi një President Republike që gdhihet dhe e ngrys ditën duke u përpjekur të reformojë dhe përmirësojë me rrënjë sistemin e drejtësisë”, deklaroi kryetari i komisionit te Ligjeve, socialisti Fatmir Xhafaj.Ndërsa duke folur për motivet e qëndrimit kundërshtues ndaj dekreteve të presidentit zoti Xhafaj u shpreh se: “Dekretet që ne do të votojmë sot, janë dekrete që janë nxjerrë në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese e në anashkalim të plotë të ligjit organik të Gjykatës së Lartë”.

Por sipas presidentit Nishani refuzimi është bërë përmes një truku procedurial, madje sipas tij ajo që ndodhi mbrëmë "është shenjë e qartë se konsensusi që coi në miratimin e ligjit për gjykatën e lartë, nuk e kaloi provën". Presidenti shpjegon se ai ka ndjekur të gjitha procedurat që përcakton ligji i ndryshuar përfshi edhe procesin e këshillimit me përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Për zotin Xhafaj megjithatë edhe ky moment kishte qenë sipas tij, një proces formal: “Presidenti i Republikës, nuk e zhvilloi këtë bashkëpunim luajal me përfaqësuesit e PS, të paktën me ta jo. Presidenti i Republikës organizoi takimin me kryetarin e grupit parlamentar, njoftoi mediat, kamerat fiksuan shtrëngime protokollare duarsh, por në atë takim vetëm bashkëpunim luajal nuk pati. Nuk pati, sepse Presidenti kishte vendosur të mos kishte një bashkëpunim të tillë. Meraku i Presidentit duket se ka qenë provokimi i maxhorancës, vënia e saj para faktit të kryer, duke bërë qokën e takimit me kryetarët e grupeve parlamentare, më datën 6 Nëntor, ndërkohë që përpara kësaj date, kishte dekretuar fillimin e funksionimit të gjykatave administrative”.

Por nga ana tjetër presidenti Nishani shprehet se vendimi i së majtës ka qenë në të vërtetë një direktivë apo ndoshta urdhër. Sipas tij “është në favor të interesit të përgjithshëm që vendimmarrje të tilla që në thelb kanë parimin e luajalitetit ndërinstitucional, të mos cënohen nga interesat e grupimeve politike” dhe se “konfliktet që shpesh lindin - sipas tij - nga moszbatimi rigoroz i procedurave cojnë në një kosto të latë për të gjithë”.

Mbetet për të parë se cilat do të jenë kostot e këtij konflikti të hapur mes palëve. Prova e radhës do të jetë së shpejti, sërish për kandidaturat për gjykatën e Lartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG