Lidhje

Gjyq ushtarak në Fort Hud të Teksasit


Një gjykatëse ushtarak në Fort Hud,në qendër të Teksasit, hodhi poshtë kërkesën për të mos lejuar dënimin me vdekje të majorit Nidal Hasan, i cili akuzohet për vrasjen e 13 njerëzve dhe tentativën për vrasje të 32 të tjerëve në vitin 2009. Koorespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus na njofton nga Hustoni se gjykatësja ende po shqyrton edhe kërkesa të tjera të mbrojtjes që mund të kenë në ndikim të madh në këtë çështje.

Gjykatësja e çështjes së majorit Nidal Hasan, kolonelja Tara Osborn, vendosi dje se dënimi me vdekje është ende i zbatueshëm, duke hedhur poshtë kërkesën e avokatëve mbrojtës që duket se kishe si qëllim një formë kompromisi. Në një kërkesë tjetër, avokatët e majorit Hasan kërkuan shqyrtimin e pranimit të fajësisë se kusht për faljen e jetës, por gjykatësja mund të mos jetë në gjendje të vendosë në favor të saj,pasi kodi ushtarak nuk e lejon një kompromis të tillë në rastet kur dënimi me vdekje është një nga opcionet.

Xhefri Korn, ish prokuror ushtarak dhe tani profesor i ligjit në Kolegjin Juridik të Teksasit Jugor në Hjuston, tha se gjykatësja Osborn do të shqyrtojë me kujdes të gjitha kërkesat e mbrojtjes megjithë iritimine publikut për zgjatjen e procesit.

“Nuk ka një rast të tillë që procesi të hapet dhe të mbyllet shpejt kur është fjala për dënimin me vdekje, veçanërisht në ushtri. Procesi, e drejta e të akuzuarit , duhet të mbrohet dhe të respektohet me skrupolozitet dhe në asnjë mënyrë një çështje e tillë të përfundojë shpejt”.

Korn thotë se çdo përpjekje për të kapërcyer kërkesat e mbrojtjes mund të hapë rrugën për apelime që do të merrnin vite të tëra që të zgjidheshin. Dëshmitarët thonë se Hasan hapi zjarr kundër ushtarëve që ishin në prag të dislokimit në Afganistan më 5 nëntor 2009. Policia civile e Fort Hudit hapi zjarr dhe e qëlloi atë katër herë, duke e lënë të paralizuar nga mesi e poshtë.

Avokatët e Hasanit po kërkojnë gjithashtu që ushtria të paguajë edhe për një specialist të pavarur të medias që ta ndihmojë atë të argumentojë se mbulimi i lajmeve ka kontribuar në paragjykimin e çështjes.

Çështja u pezulluar vitin e kaluar për shkak të urdhërave që Hasani të ruante mjekrën që ai tha se është shprehje e fesë së tij islame.

Korn thotë se çdo përpjekje nga gjykatësja ose komandanti i Fort Hudit për të vënë në zbatim kodin ushtarak të paraqitjes në këtë fazë, do t’i hapte rrugën Hasanit ta apelonte vendimin bazuar në ligjin federal për mbrojtjen e lirisë së fesë.

“Ai ndoshta do të ngrinte padi në gjykatën federale të distriktit dhe do t’i kërkonte një gjykatësi federal, një gjykatësi civil, të lëshonte një urdhër kundër komandantit të ushtrisë, duke u mbështetur në teorinë se rregullat ushtarake dhe urdhëri për heqjen e mjekrës shkel ligjin federal. Kjo do ta zgjaste procesin të paktën edhe gjashtë muaj”.

Korn thotë se nëse gjykatësja Osborn merr vendime për të gjitha kërkesat e mbrojtes deri në fund të javës, pa patur shtyrje të tjera procedurale, zgjedhja e jurisë për gjyqin ka të ngjarë të fillojë në prill ose në maj.
XS
SM
MD
LG