Lidhje

Jetëgjatësia e njerëzve dhe faktori gjyshe


Në historinë moderne, shpesh gjysheve i kërkojnë të kujdesen për fëmijët. Po disa miliona vjet më parë, kur gjyshet filluan ta bëjnë këtë gjë, me sa duket ato patën një ndikim të rëndësishëm në evolucionin e njerëzve. Shkencëtarët mendojnë se ka një arsye madhore përse ne jetojmë shumë më gjatë se primatët e tjerë. Quhet “hipoteza e gjysheve”. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe di Capua na njeh me studimin:

Profesorja e Universitetit të Antropologjisë në Utah Kristen Hawkes, thotë se njerëzit dallohen mes primatëve të tjerë kur është fjala për jetëgjatësinë.

“Një nga gjërat e ndryshme për njerëzit kur i krahasojmë me speciet e tjera më të afërta me ne, majmunët e tjerë të mëdhenj, është se ne jetojmë shumë më gjatë. Ne i kemi më të gjata vitet e fëmijërisë dhe më pas, edhe vitet e moshës madhore. Diçka veçanërisht e rëndësishme është se grat­ë zakonisht kanë vitet e pjellorisë dhe janë të shëndetshme dhe e kanë ciklin riprodhues për shumë vite me radhë”, thotë profesorja.

Primatë të tjerë nuk janë po aq me fat në kë aspekt.

“Tek majmunët e tjerë, femrat, në se arrijnë moshën madhore, zakonisht vdesin në vitet e pjellorisë dhe ato plaken shpejt. Natyrisht, që të gjithë ne plakemi, por tek njerëzit ky proces është më i ngadaltë dhe ndodh më vonë se tek majmunët e tjerë të mëdhenj.”

Profesorja Hawkes thotë se ndryshimi i klimës mund t’i ketë ndryshuar gjërat, duke ndikuar tek rezervat e ushqimeve. Kështu, Savanat filluan t’i zenë vendin pyjeve në Afrikë.

Profesorja Hawkes thotë se kur nënat filluan t’i ushqenin vetë fëmijët, për shkak të ndryshimit kushteve të vendbanimeve, ato nuk kishin më mundësi të lindnin aq shpesh. Ato ishin tepër të zëna në kërkim të ushqimit. Pikërisht atëhere filluan gjyshet të ndihmojnë.

“Po ashtu, kjo do të thonte, se femrat më të moshuara, të cilave po i merrnin fund vitet e pjellorisë, fillluan të kenë një jetë më aktive, duke i ndihmuar vajzat e tyre të ushqenin fëmijët. Kjo do të thonte që nënat ishin më të lira, pasi nuk do t’i ushqenin më fëmijët me gji për një kohë të gjatë”.

Veprimi i përkujdesjes për fëmijët pati efekte afat-gjata.

“Të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur kanë ndikuar tek jetëgjatësia më e madhe e njerëzve krahasuar me primatët e tjerë. Ne plakemi më ngadalë dhe kemi vite më të gjata fëmijërie. Fëmijët tanë kanë varësi më të madhe tek, ne, por ne i japim fund periudhës së ushqyerjes me gji më shpejt se gjitarët e tjerë. Kjo hipotezë ka vite që qëndron.”

Kujdesi për fëmijët e vajzave mund të jetë bërë shkak për ndryshime gjenetike, që kanë bërë të mundur që femrat e moshuara të jetojnë më gjatë. Këto ndryshime, u transmetuan brez pas brezi. Simulimet me kompjuter tregojnë se majmunët, që e arrijnë moshën madhore kur janë 13 vjeç, jetuan edhe 15, ose 16 vjet të tjerë. Por njerëzit në vendet e zhvilluara, që arritën moshën madhore në 19 vjeç, zakonisht jetonin edhe 60 vjet të tjerë, ose më tepër.

Profesorja Hawks dhe kolegët e saj besojnë se rritja e jetëgjatësisë ndodhi shumë shpejt në terma shkencore, mes viteve 24 mijë dhe 60 mijë.

“Kombinimi i kujdesit të gjysheve dhe jetëgjatësia janë të lidhura”, thotë profesorja Hawks.

“Hipoteza e gjyshes” i ka bazat tek një studim i viteve 1980. Hawkes dhe antropologu James O’Connell jetuan mes fiseve Hadza në Tanzani, që merren me gjueti. Ata vunë re se gratë e moshuara të fisit e kalonin ditën duke gjetur ushqim për nipërit e tyre.

Studjuesja Hawkes thotë se të qënit gjysh i ka bërë njerëzit të kenë më tepër varësi sociale tek njëri tjetri, si dhe të kenë prirjen për të gëzuar vëmendjen e njëri tjetrit.

XS
SM
MD
LG