Lidhje

Dy miliardë vetë vuajnë nga uria e fshehtë

  • Joe Capua

Sipas vlerësimeve, 2 miliardë vetë në botë vuajnë nga ajo që quhet “uria e fshehtë”. Indeksi i ri për Urinë Globale, paralajmëron se cilësia e ushqimit është po aq e rëndësishme sa edhe sasia.

Indeksi publikohet çdo vit nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Politikat e Ushqimit, Shoqata Welthungerhilfe adhe organizata Concern Worldwide. Ai regjistron nivelin e urisë në 120 vende në zhvillim dhe në tranzicion.

Indeksi i radhit vendet në bazë të tre faktorëve të cilëve u jepet e njëjta peshë: përqindja e njerëzve që janë të kequshqyer; përqindja e fëmijëve nën 5 vjeç që janë nën peshë; dhe përqindja e vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç.

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Dr. Shenggen Fan thotë se indeksi i vitit 2014 përqendrohet tek uria e fshehur.

“Uria që nuk duket është shumë ndryshe nga ajo e dukshmja ose kequshqyerja. Ajo do të thotë mungesë mikroushqyesish ose vitaminash në dietën e një personi që mund të shkaktojë dëm kronik për shëndetin e tyre mendor dhe fizik. Dhe kjo është veçanërsht e rëndë për fëmijët dhe nënat”.

Kjo uri e padukshme mund të dobësojë sistemin imunitar, të frenojë rritjen fizike dhe intelektuale dhe madje të shkaktojë edhe vdekjen. Zoti Fan thotë se është ndryshe nga uria e dukshme.

“Është mungesë energjie apo kalorish në dietë. Prandaj nuk mjafton të hash më shumë. Një dietë e balancuar dhe cilësore që ka vlera ushqimore, përfshirë minerale dhe vitamina është thelbësore për shëndetin”.

Ai thotë se komuniteti ndërkombëtar e kishte lënë pas dore urinë e fshehtë sepse ishte përqendruar diku tjetër.

“Gjithë këto dekada ne jemi përqendruar tek sasia e ushqimit sepse ka plot njerëz që vuajnë nga uria, që është normal si shqetësim. Por tani kemi mundësi ta përballojmë këtë. Çështja është sesi të sigurojmë dietë të balancuar për të gjithë, që të gjithë të mund të hanë ushqime të shëndetshme”.

Uria e fshehtë ka edhe pasojat e veta ekonomike.

“Çdo vit për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm ne humbim 2-3 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Global. Duke u marrë me këtë sfidë, ne kemi një përfitim të jashtëzakonshëm. Për çdo dollar që investohet për të luftuar ushqimin e pamjaftueshëm, kemi një fitim 30 dollarë. Është një çështje të drejtash por edhe ekonomike”.

Indeksi Global i Urisë thotë se uria e fshehur po ndodh megjithëse niveli i të uriturve në shumë vende në zhvillim po ulet.

“Gjatë dekadave të fundit numri i atyre që janë të ushqyer në mënyrë të pamjaftueshme ka rënë. Prandaj në këtë drejtim ne po i arrijmë Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjecarit, pra përgjysmimi i personave të uritur nga viti 1990 në 2015. Jemi në rrugë të mbarë, por kemi ende shumë për të bërë”.

Sipas indeksit, “megjithëse janë arritur përparime të shumta për të ushqyer botën, 805 milionë vetë janë ende të ushqyer jomjaftueshëm sepse nuk kanë ushqim të mjaftueshëm”. Zoti Fan thotë se synimi duhet të jetë zhdukja si e kequshqyerjes ashtu edhe urisë.

XS
SM
MD
LG