Lidhje

Potencial i lartë për rritje ekonomike në vendet në zhvillim


Zgjerimi i klasës së mesme ka sjellë rritjen e prirjes për konsum në këto vende

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka sinjalizuar se mund të ulë përqindjen e rritjes që parashikohet të shënojë ekonomia globale. FMN do të nxjerrë muajin e ardhshëm parashikimet e reja për gjendjen e ekonomisë dhe sipas ekspertëve të Fondit, rritja aktuale është më e dobët se ç’ishte parashikuar si rezultat i problemeve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Por ka shumë ekspertë të tjerë që këmbëngulin se rimëkëmbja po ecën me ritmet e duhura dhe për këtë sjellin si shembull pasurimin e një shtrese në vendet në zhvillim.

Pavarësisht nga parashikimet për ngadalësim ekonomik, një tregues ekonomik jo shumë i njohur, po tërheq vëmendje gjithnjë e më të madhe. I ashtu-quajturi “Indeksi i Automobilëve” synon të masë klasën e mesme globale bazuar në numrin e njerëzve që kanë makinë.

Uri Dadush kryeson programin e ekonomisë globale në Institutin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare.

“Numri i makinave do të rritet në mënyrë masive. E vërejmë këtë rritje në botën në zhvillim, gjë që tregon se klasa e mesme po zgjerohet. Arsyeja për këtë janë afro 70 vende që kanë një popullsi totale prej 3 miliardë banorësh, të cilët po i afrohen nivelit të të ardhurave prej 4 mijë dollarësh për frymë në vit. Në këto vende klasa e mesme po rritet me shpejtësi”.

Studiuesi thotë se kjo rritje relative në të ardhurat mesatare nënkupton rritje të kërkesës për artikuj jo të domosdoshëm.

“Kur arrihet një nivel i caktuar të ardhurash, njerëzit fillojnë të blejnë artikuj nga më të ndryshmit. Në fakt gjërat që ata blejnë shpesh janë artikuj që prodhohen në Japoni, Gjermani dhe Shtetet e Bsahkuara”.

Por FMN-ja thotë se kriza ekonomike që filloi në vitin 2008 ka çuar në rënien e konsumit në vendet e zhvilluara. Drejtoresha Menaxhuese Christine Lagarde thotë se kërcënimi më i madh për ekonominë mbeten pasaguria për krizën e borxheve në Evropë dhe shqetësimet se eliminimi i shkurtimeve të taksave dhe ulja e shpenzimeve qeveritare mund të sjellin një rënie të pakontrolluar të ekonomisë amerikane.

“Parashikojmë një rimëkëmbje graduale, por rritja globale që kishim parashikuar 12 muaj të shkuara dhe që e rishikuam gjashtë muaj më parë, ka shumë të ngjarë të jetë më e ulët se parashikimet”.

Po t’u shtosh këtyre problemeve rritjen e çmimeve ushqimore dhe trazirat në Lindjen e Mesme, thotë zonja Lagarde, rritja ekonomike për vitin e ardhshëm pritet të jetë më e ulët se parashikimi prej 3.9 për qind.

“Do të jetë një diferencë e vogël, por ajo që është karakteristike është rënia e përqindjes së rritjes në parashikimet tona”.

Megjithëse ulja e ritmeve të rritjes ekonomike në Kinë dhe problemet në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara mbeten shqetësim, studiuesi Uri Dadush mendon se perspektiva ekonomike mund të jetë më e mirë se parashikimet e FMN-së.

“Pavarësisht faktit që po përjetojnë ngadalësim në këto momente, faktorët e rritjes ekonomike në vendet në zhvillim janë fantastikë”.

Anketat e fundit tregojnë se shpenzimet e konsumit në vendet në zhvillim janë rritur tri herë më shumë se në ekonomitë e zhvilluara. Përqindjet e zotërimit të automjeteve janë rritur me ritme shumë më të larta se në vendet e zhvilluara.

XS
SM
MD
LG