Lidhje

Fushata zgjedhore dhe ngrohja globale


Presidenti amerikan Barack Obama e ka cilësuar ngrohjen globale si kërcënimin më të madh afatgjatë me të cilin përballet bota, por kjo çështje nuk është prekur thuajse fare gjatë garës presidenciale mes demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump.

Gjatë tre debateve 90-minutëshe mes zonjës Clinton dhe zotit Trump, të cilët shprehën pikëpamje të kundërta për çështje të ndryshme, moderatorët nuk u drejtuan as edhe një pyetje të vetme për ndryshimet klimatike dhe kandidatët e përmendën atë vetëm shkarazi, krahas me çështjen për prodhimin e energjisë.

Anketat tregojnë se shqetësimet për ndryshimet klimatike dhe mjedisin nuk zenë vend kryesor në listën e shqetësimeve të votuesve, ndryshe nga ekonomia, terrorizmi, politika e jashtme, shërbimi shëndetësor dhe të tjera çështje të cilat amerikanët i konsiderojnë të rëndësishme.

Por kandidatët Clinton dhe Trump kanë pikëpamje diametralisht të kundërta për ngrohjen globale. Këto pozicione, në se zgjidhet zonja Clinton, mund t'i lenë Shtetet e Bashkuara, në linjë me pjesën tjetër të botës, kur është fjala për marrëveshjen e Parisit për ndryshime klimatike dhe pakësimin e çlirimit të gazeve të dëmshme të efektit serë. Nëse Trump i fiton zgjedhjet e 8 nëntorit dhe e ruan qëndrimin e tij kundër marrëveshjes së Parisit, SHBA mund të mbeten të izoluara nga bota për çështjet e mjedisit.

Marrëveshja hyn në fuqi javën e ardhshme

Clinton, e cila ka qenë sekretare shteti dhe që shpreson të bëhet presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara, e mbështet marrëveshjen e Parisit. Kjo marrëveshje hyn në fuqi në fund të javës së ardhshme, pasi një numër vendesh të botës, që janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit, lanë të kuptohet në fillim të muajit, se e mbështesin atë.

Kur një votues i pavendosur ngriti çështjen e prodhimit të energjisë në debatin e dytë presidencial, zonja Clinton u përgjigj:

"Unë mbështes një politikë gjithëpërfshirëse për energjinë, ku bëjnë pjesë edhe përpjekjet kundër ndryshimeve klimatike, sepse mendoj se ky është një problem serioz. Po ashtu mbështes idenë për të avancuar sa më shpejt që të mundemi, drejt një energjie të pastër dhe të ripërtëritshme dhe mendoj se ne mund të bëhemi superfuqia e shekullit të 21-të në fushën e energjisë së pastër, duke krijuar miliona vende të reja pune dhe biznese."

Zoti Trump, manjat i pasurive të patundshme, që kandidon për herë të parë për një post publik përmes votës, i dha një drejtim të ndryshëm përgjigjes së tij për të njëjtën pyetje, duke mos përmendur ndryshimet klimatike.

"Unë do t'i risjell vendit kompanitë tona të energjisë…Ato do të paguajnë borxhin tonë kombëtar, deficitet e mëdha buxhetore, që janë vërtet të frikshme. Kompanitë tona të energjisë po i nxjerrim nga biznesi. Duhet t'i rikthejmë në punë punonjësit tanë," - deklaroi zoti Trump.

Një shqetësim për votuesit e rinj

Një mbështetës i pasur i zonjës Clinton, menxhari i një fondi investimesh dhe ambjentalisti Tom Steyer, është themeluesi i kompanisë "NextGen Climate". Ky grup thotë se ka financuar 50 milionë dollarë për të mobilizuar më tepër se një milionë votues të rinj në shtete të rëndësishme për zgjedhjet. "NextGen" thotë se zonja Clinton e pranon si një çështje të rëndësishme ngrohjen globale, që përbën shqetësim kryesor për një numër të madh votuesish të rinj:

"Zgjedhja është e qartë. Clinton ka për të vazhduar politikat e Presidentit Obama për ndryshimet klimatike, duke krijuar vende pune të paguara mirë në fushën e energjisë së pastër, ndërsa Trump do t'i kthente prapa SHBA në këtë çështje, duke dëmtuar përpjekjet e deritanishme për ngrohjen globale, ekonominë dhe sigurinë tonë kombëtare."

Në disa raste zoti Trump ka thënë se ndryshimet klimatike nuk përbëjnë shqetësim të rëndësishëm, duke thënë në një intervistë disa muaj më parë, se:

"Ngrohja globale është një formë takse tepër e kushtueshme. Një numër i madh njerëzish janë duke fituar shumë para prej saj. Unë kam shumë njohuri për ndryshimet klimatike. Shpesh them me shaka, se kjo çështje ngrihet për të përfituar Kina, por në fakt kështu është, për të imponuar përmirësime të kushtueshme ambjentaliste tek ekonomia amerikane, më e madhja e botës."

Programi i Trumpit, nëse zgjidhet

Zoti Trump i zgjeroi pikëpamjet e tij për energjinë fundjavën e kaluar, kur parashtroi një varg politikash dhe masash që do të merrte në 100 ditët e para, nëse zgjidhet.

Mes të tjerash, Trump tha se do të "hiqte kufizimet ndaj krijimit të vendeve të punës në fushën e rezervave amerikane të energjisë, me vlerën e 50 trilionë dollarëve. Ne kemi për t'i kthyer në vendet e punës minatorët tanë,"- tha ai.

Trump tha se do të hiqte, "siç nuk keni parë kurrë ndonjëherë" pengesat ndaj projekteve që lidhen me ndërtimin e infrastrukturës së energjisë, si Tubacioni Keystone, një projekt të cilin Presidenti Obama e kundërshtoi, duke i vënë veton. Ky tubacion do të sillte naftë nga Kanadaja, përmes pjesës qendrore të SHBA, drejt rafinerive përgjatë Gjirit të Meksikës.

Donald Trump po ashtu deklaroi se SHBA do të tërhiqeshin nga marrëveshja e Parisit, "duke anuluar pagesa me vlerën e miliarda dollarëve për programet e OKB-së për ndryshimet klimatike dhe për t'i përdorur ato për të përmirësuar infrastrukturën e ujit të Amerikës. Ne duhet të rregullojmë mjedisin tonë," - tha ai.

Cilat janë interesat parësore?

Kongresmeni i Dakotës së Veriut, Kevin Cramer, këshilltari kryesor i zotit Trump për energjinë, i tha Zërit të Amerikës se kandidati republikan për president mund të përpiqet të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit, duke kërkuar ratifikimin e saj nga Senati. Kongresmeni Cramer parashikon se marrëveshja nuk do të miratohet në Senat.

Zoti Cramer, i cili ka kundërshtuar disa herë gjatë fushatës një këshilltar të zonjës Clinton për energjinë, tha se mbështetja për marrëveshjen e Parisit ngre një çështje të rëndësishme për SHBA: "A do të pranojmë ne gjithmonë pa hezituar, nënshtrimin e interesave amerikane ndaj atyre globale? Pikërisht kjo është në qendër të idesë që thekson Donald Trump: "America first" - "Amerika e para."

XS
SM
MD
LG