Lidhje

Dy të tretat e botës, mungesë uji


Katër miliard njerëz ose dy në çdo tre njerëz në planet, nuk kanë ujë të mjaftueshëm për nevojat elemetare. Këto shifra janë më të larta nga sa mendohej më parë, sipas një studimi që ofron një pamje më të qartë të problemit. Siç na njeh materiali në vazhdim, gjetjet do të ndihmojnë hartuesit e politikave dhe publikun që të gjejnë zgjidhje për trajtimin e këtij kërcënimi.

Thatësira në Etiopi është më e rënda në disa dekada, ndërkohë që foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë më të rrezikuarit. Fatuma Hussein jeton në rajonin e nxehtë dhe të thatë Afar. Ajo shkon tek një klinikë lokale për ndihmë pasi nuk ka më ushqime në shtëpi.

“Fëmija im është i kequshqyer dhe nuk mund të ushqehet më me gji.”

Mungesa e ujit vjen nga rritja globale e popullsisë, vetitë e konsumit dhe nevojat në bujqësi. Kjo është e dukshme, thotë Arjen Hoekstra, profesor i menaxhimit të ujit në Universitetin Twente dhe bashkautor i një studimi të ri në revistën Përparimet Shkencore, Science Advances.

“Niveli i ujit në tokë dhe liqene po bie, madje po zhduket. Po bien prurjet e lumenjëve. Kjo ndikon tek ekosistemet dhe biodiversiteti sepse kemi më pak ujë dhe komunitetet që jetojnë pranë rrjedhave ku uji nuk do të rrjedhë më.”

Ky është studimi i parë që shqyrton strukturën në bazë mujore dhe jo vjetore. Studimi gjen se 4 miliard njerëz, gjysma nga Kina dhe India, përballen me probleme të rënda ujore, krahasuar me 2 deri 3 miliard të njoftuar më parë. Meksika, Afrika Veriore, Amerika Jugore dhe Lindja e Mesme dhe Perëndimi Amerikan po ashtu rrezikohen shumë. Studimi krijon një bazë të re dhe përllogaritje më të saksta për të ndihmuar hartuesit e politikave. Ka edhe një mesazh të rendësishëm për publikun, thotë profesori Arjen Hoekstra.

“Njerëzit duhet të bëhen më të vetëdijshëm mbi përdorimin e ujit. Zgjedhjet e konsumatorit për përdorimin e ujit do të ndikojnë tek depozitat ujore. Nëse njerëzit zgjedhin të konsumojnë më pak mish, ata do të kursenin shumë ujë.”

Çelësi është përdorimi i qëndrueshëm i ujit, një pikë e rëndësishme në agjendën ndërkombëtare përkrah ndryshimeve klimatike, thotë profesori.

“Duhet të fillojmë të vlerësojmë këto burime ujore, ndjamë ato më mirë dhe përdorim ato në mënyrë më efikase.”

Profesori Hoekstra shpreson se të dhënat e reja do të çojnë në veprime për ulur mungesat ujore me përdorimin më efikas të ujit. Sipas tij, përdorimi i ujit në mënyrë më të qendrueshme dhe ndryshimi i zakoneve të konsumatorëve do të ndihmojnë për një ndryshim të vërtetë.

XS
SM
MD
LG