Lidhje

Nisma Globale Clinton diskuton mbi sigurinë globale të ushqimit


Në fund të takimit tre ditor u tha se përmbushja e nevojave në rritje të njerëzimit kërkon prodhim më efikas të ushqimit

Rritja e shpejtë e popullsisë së botës ishte një temë që u përmend shpesh në diskutimet e ndryshme të Nismës Globale Clinton gjatë tre ditëve të kaluara. Judith Rodin, presidente e Fondacionit Rockefeller, nënvizoi pasojat e rritjes së popullsisë mbi sigurinë e ushqimit.

“Duke pasur parasysh se popullsia pritet të rritet me dy miliardë njerëz, ne do të duhet të prodhojmë dy herë e gjysmë më shumë ushqime në 90 vitet e ardhshme se sa në 8 mijë vitet e mëparshme”.

Përmbushja e nevojave në rritje të njerëzimit kërkon prodhim më efikas të ushqimit. Jason Clay, zëvendës president i Fondit Botëror të Florës dhe Faunës, tha se njerëzit shpërdorojnë rreth një në çdo tre kalori ushqimore.

“Kjo ka ndikim te burimet e ujit, çlirimin e gazeve të efektit serrë, erozionin e tokës dhe shumë gjëra të tjera. Këta janë faktorë shumëzues”.

Ministri nigerian i Bujqësisë, Akinwumi Adesina tha se qeveria e tij nuk merret më me biznesin e shitjes së farës dhe plehut kimik. Ai tha se kur qeveria ishte e përfshirë në këtë punë, korrupsioni ishte problem i madh.

“Plehu kimik në njëfarë mënyre nuk e gjente rrugën drejt fermerit të varfër dhe përfundonte në fermat e të pasurve”.

Organizatori i takimit, ish-presidenti Bill Klinton, e ftoi presidentin e ri të Egjiptit, Mohamed Morsi, për një diskutim në lidhje me demokratizimin e vendit të tij. Duke folur përmes një përkthyesi, zoti Morsi preku çështjen e prodhimit të ushqimit në Egjipt.

“Ne duhet të miratojmë ligje të cilat nxisin bujqësinë dhe eliminojnë burokracinë e tepërt, sepse burokracia e tepruar dëmton zhvillimin”.

Zoti Clinton i mbylli punimet e takimit të këtij viti me prezantimin e zonjës Chen Li, një grua që e kishin fshehur kur ai vizitoi një fshat në Kinë, sepse njerëzit nuk donin që presidenti amerikan të shihte një person me aftësi të kufizuara. Chen Li ishte e guximshme dhe jo vetëm që u martua, por ajo u bë edhe zëdhënëse e personave me aftësi të kufizuara në Kinë. Zoti Klinton u takua me të më vonë.

“Ishte një nga përvojat më prekëse që kam përjetuar. Pra, kur humbisni kurajon mos harroni këtë: nëse nuk jeni të detyruar të rrini në shtrat për shkak se njerëzit në fshat e shohin si problem faktin që je individ me aftësi të kufizuara, atëherë në të vërtetë ju nuk keni asnjë problem”.

Ish presidenti Klinton tha se Nisma Globale Clinton ka mbledhur dhjetëra miliarda dollarë donacione gjatë tetë viteve të saj të ekzistencës, duke ndihmuar afërsisht 400 milionë njerëz në mbarë botën.
XS
SM
MD
LG