Lidhje

GNK: Kosova meriton të jetë plotësisht e pavarur


Në një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave me qendër në Bruksel thuhet se Kosova ka zbatuar një pjesë të mirë të planit Ahtisari, duke siguruar të drejta thelbësore për serbët dhe e meriton të jetë plotësisht e pavarur, por duhet të vihen në jetë edhe pjesët e mbetura të planit.

Shumë serbë në jug të lumit Ibër, thuhet në raport, tani e pranojnë autoritetin e qeverisë së Prishtinës, i binden ligjeve të saj dhe marrin pjesë në jetën politike në një mënyrë që nuk përfytyrohej dot katër vjet më parë. Por këto arritje janë kërcënuar nga marrëdhëniet e tensionuara Kosovë-Serbi, nga numri në rënie i serbëve dhe nga zhgënjimi Prishtinës për shkak se nuk ka mundësi për ta shtrirë sovranitetin e vet në zonat me shumicë serbe në veri dhe për të arritur njohje të plotë ndërkombëtare.

Shtimi i sulmeve me motive etnike, thuhet në raport, tregon se paqja është e brishtë. Qeveria duhet të mbetet e angazhuar për kërkesën e zotit Ahtisaari lidhur me pakicat. Por plani Ahtisari nuk ishte menduar për të funksionuar në kushte izolimi dhe nuk mund të ndahet nga marrëdhëniet e përgjithshme Kosovë-Serbi.

Ky është një çast vendimtar për marrëdhëniet e Kosovës me popullsinë e saj serbe dhe me Serbinë, plani i Ahtisaarit ende ofron modelin më të mirë për të garantuar bashkë-ekzistencë paqësore, thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e tij.

Shumë serbë në Kosovë bashkëpunojë me institucionet shtetërore për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre, por ata në veri nuk duan të ndryshojnë qëndrim. Qeveria e ka përfshirë shumicën e dispozitave të planit Ahtisaari në kushtetutën dhe ligjet e saj. Ajo ka transferuar kompetencat për komunat, duke lejuar jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët atje ku përbëjnë shumicë të madhe të kenë zë lidhur me çështjet lokale. Megjithatë, shumë njerëz në Prishtinë kanë filluar të vënë në pikëpyetje atë që ata e shohin si trajtim preferencial ndaj serbëve, thuhet në raport. Komunikimi bëhet më i vështirë edhe për shkak se pak të rinj flasin gjuhën e tjetrit. Ndërkohë, sulmet ndaj serbëve janë duke u bërë më të shpeshta, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Prishtina dhe Beogradi kanë interes për të bashkëpunuar dhe për të shmangur një eksod të serbëve të Kosovës. Serbia nuk mund ta përballojë dot një tjetër valë emigrantësh në një mjedis të vështirë ekonomik. Nga ana e saj, thuhet në raport, Prishtina përballet me vështirëshi për të shtrirë autoritetin e saj në veri të Ibrit. Nëse Prishtina dhe Beogradi dëshirojnë që Kosova të jetë vërtetë shumetnike, ata duhet të bashkëpunojnë në mbështetje të komunitetit të saj serb.
XS
SM
MD
LG