Lidhje

GNK: Prirje shqetësuese nacionaliste në Maqedoni

  • Isak Ramadani

GNK: Prirje shqetësuese nacionaliste në Maqedoni

GNK: Prirje shqetësuese nacionaliste në Maqedoni

Në një raport për Maqedoninë të botuar të enjten, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thekson se 10 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund luftimeve në këtë vend, shumica e marrëveshjes është plotësuar dhe se nuk ka gjasa për rikthimin e një konflikti të armatosur. Por tensionet ndërpartiake dhe ndëretnike, thuhet në raport, janë shtuar gjatë pesë viteteve të fundit edhe përkundër integrimit të pakicave në jetën politike.

Organizata po ashtu thekson se në Maqedoni po vihen re disa prirje shqetësuese si nacionalizmi maqedonas në ngritje, kapja e shtetit nga ana e kryeministrit dhe partisë së tij, rënia e pavarësisë së shtypit dhe gjyqësorit, ekzistenca e ndarjes etnike në shkolla dhe decentralizimi e ngadalshëm, që rrezikojnë të minojnë shtetin shumë-etnik të Maqedonisë. GNK sugjeron që kryeministri Nikolla Gruevski të bashkëpunojë ngushtë me partnerin shqiptar të koalicionit qeveritar dhe partitë e opozitës për të miratuar dhe zbatuar masat për ngritjen e shkallës së demokracisë, për pajtimin ndëretnik dhe për zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë.

Parlamenti i ri i Maqedonisë, thotë Grupi i Krizave, duhet të zbusë nacionalizmin e kryeminsitrit të mbështetur nga shteti, siç u vu re në programin tepër të shtrenjtë dhe përçarës të rinovimit të qendrës së Shkupit, që bazohet në vizionin nacionalist të Maqedonisë antike, gjë që fyen si pakicat vendase ashtu edhe Greqinë. GNK po ashtu nënvizon nevojën për forcimin e besnikërisë të partive shqiptare ndaj shtetit dhe angazhimin e tyre më të madh në procesin politike dhe atë vendimarrës.

Grupi i Krizave vlerëson se kryeministri Gruevski në përpjekje për të ndërtuar një identitet të fuqishëm shtetëror të mbështetur tek historia e Maqedonisë antike, ka lënë shqiptarët të ndjehen të përjashtuar. GNK rekomandon forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit; përmirësimin e dialogut në Parlament; shmangien e bojkoteve, marrjen e masave që gjyqësori të jetë i pavarur nga ndikimet politike; ndalimi i trysnisë ndaj medias, institucioneve publike dhe shoqërisë civile. Grupi propozon krijimin e një komisioni parlamentar për median; ndërkohë që inkurajon përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në institucionet publike dhe ndalimin e punësimit mbi baza të përkatësisë politike.

Grupi i Krizave inkurajon BE dhe SHBA që të mbështesin forcimin e institucioneve të pavarura dhe që media dhe shoqëria civile të mbikëqyrin punën e këtyre institucioneve. GNK sugjeron që të gjitha partitë politike ta festojnë dhjetë vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë që të përmirësohen më tej marrëdhëniet ndëretnike. Po ashtu inkurajohet punë konsensuale mbi tekstet shkollore dhe veprimtaritë e përbashkëta në shkolla midis maqedonasve dhe shqiptarëve si dhe zbatimi i arsimit të integruar për të bashkuar rininë e vendit. Grupi propozon që Shkupi të bëhet një kryeqytet dygjuhësor.

Shkupi duhet të pranojë propozimin e ndërmjetësit të OKB për përdorimin e emrit “Republika e Maqedonisë Veriore” ose të një formule të ngjashme me cilësim gjeografik për të gjitha qëllimet ndërkombëtare dhe mënjehërë pas kësaj, NATO të pranojë Maqedoninë dhe Bashkimi Evropian të fillojë bisedimet për anëtarësim.

Athina, vazhdon më tej raporti, duhet ta njohë identitetin kombëtar dhe gjuhën e fqinjit verior si “maqedonas/maqedonisht” ndërsa Shkupi duhet të heqë dorë nga emërtimi i aeroportit Aleksandri i Madh dhe të tërhiqet nga provokimet, siç është rasti me projektin Shkupi 2014. Autoritetet në Shkup ende nuk kanë komentuar rreth raportit të GNK-së.

XS
SM
MD
LG