Lidhje

Helikopteri i ushtrisë qëllohet me armë zjarri


Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, i përfshirë në operacionin antikanabis që po zhvillohet prej dy ditësh në zonën e thellë malore të Dukagjinit, u qëllua sot me armë zjarri nga persona ende te paidentifikuar.

Burime policore bënë të ditur se dy plumba kanë goditur trupin e helikopeterit, por pa e dëmtuar atë dhe as përsonat që gjendeshin në bordin e tij. Incidenti u regjistrua rreth orës 10 e 20 minuta, kur njëri prej helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes po kthehej nga transporti i forcave policore në zonën e Pultit.

Shqipëri, qëllohet helikopteri i ushtrisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Edhe një ditë më parë, gjatë zhvillimit të operacionit antikanabis në fshatin Plan të Dukagjinit, pati njoftime për të shtëna me armë nga përsona të paidentifikuar, njoftime që nuk u konfirmua plotësisht nga policia. Sot ishte dita e dytë e operacionit antikanabis që po zhvillohet në zonën e thellë malore të Dukagjinit në rrethin e Shkodrës.

Forcave të policisë vendore dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetiti iu shtuan sot edhe forca të tjera, duke e quar në 160 numrin e forcave policore që po veprojnë në terren, gjë që dëshmon për zgjerimin e përmasave të operacionit. Forcat policore po mbështeten nga ajri edhe me tre helikopterë, që transportojnë efektivë të policisë dhe që patrullojnë zonën në përpjekje për identifikimin e parcelave me bimë narkotike.

Operacioni antikanabis i policisë po ndiqet edhe nga oficerë të policisë gjyqesore si dhe 12 ekspertë të kriminalistikës në Policinë Shkencore, të cilët bëjnë dokumentimin ligjor dhe fiksimin e provave materiale në terren.

Gjatë ditës së sotme u asgjësuan rreth 7 mijë bimë të tjera narkotike, duke e quar në rreth 42 mijë numrin e bimëve narkotike të asgjësuara deri tani në operacionim policor antikanabis në Dukagjin të Shkodrës. Gjithashtu, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 15 kilogram boçe të kababisit. Ndërkohë, nuk ka njoftime për përsona të shoqëruar apo arrestuar si pronar të parcelave të mbjella me bimë narkotike.

Një ditë më parë, Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit, Altin Qato, deklaroi për mediat se operacioni antikanabis në zonën e Dukagjinit do të vazhdojë deri në asgjësimin e plotë të parcelave të mbjella me këtë bimë. Por ai nuk qartësoi nëse do të ketë kontrolle brenda në banesat e zonës për gjetjen e bimeve narkotike, ashtu siç u veprua në zonën Lazaratit.

Ndryshe nga Lazarati, ku kultivimi i bimëve narkotike ishte masiv dhe i përqendruar brenda një territori të vogël, në zonën malore të Dukagjinit kultivimi i kësaj bime është shtrirë në një territor të gjërë, në parcela të vogla dhe të veçuara, larg zonave të banuara, gjë që e ka bërë të vështirë punën e policisë për zbulimin dhe asgjësimin e bimeve narkotike, por edhe arrestimin e kultivuesve të tyre.

XS
SM
MD
LG