Lidhje

Turqia pret heqjen e vizave për zonën Shengen


Marrrëveshja e arritur në mars mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian për të ndalur valën e refugjatëve drejt Evropës parashikon heqjen e vizave për qytetarët turq që shkojnë në zonën e Shengenit. Brukseli e ka vonuar disa herë zbatimin e kësaj mase, duke ngritur shqetësime për politikat e ashpra anti-terroriste të Ankarasë dhe shtypjen e rëndë që pasoi grushtin e dështuar të shtetit. Por shumë turq në pjesën rurale në lindje të vendit presin me shpresë mundësinë e largimit drejt një jete më të mirë pas heqjes së vizave.

Fshati kurd i Goma Seydos në malet e provincës Erzurum nuk ka ndryshuar shumë prej shekujsh. Të rinjtë shprehin një dëshirë të fortë për një jetë të re në Evropë:

“Gjysma e banorëve të këtij fshati janë në Evropë. Kemi miq e të afërm në Francë; edhe unë do të doja të shkoja atje,” thotë Tugay Korkmaz.

Mbi 100 banorë të fshatit, afro gjysma e popullatës, jetojnë në Evropë. Në vitet 1990 dhjetëra të rinj u larguan dhe u vendosën në Francë ose Gjermani, ku kërkuan strehim politik, ndërkohë që në vend ishte ndezur kryengritja e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK kundër autoriteteve turke.

Shumë prej të zhvendosurve, pasi nuk arritën të siguronin azil, u martuan me gra nga vende evropiane për të marrë shtetësinë; më pas u divorcuan dhe u martuan me turke.

Yavuz Ozer u vendos në Francë kur ishte 11 vjeç. Tani 24 vjeç, ai u kthye këtë muaj në fshat për të festuar Bajramin.

“Këtu bëhet jetë e rehatshme; ka punë. Por vetëm për një javë që kam ndenjur këtu kam filluar të mërzitem, nuk rri dot më”.

Marrëveshja e arritur në mars mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian për ndaljen e dyndjes së refugjatëve parashikon heqjen e vizave për turqit.​

“Nëse hiqen vizat, shumë njerëz do të largohen për në Evropë. Ata që kanë punë dhe një profesion të mirë do të qëndrojnë, por të tjerët do të ikin,” thotë banori Keremi Sarac.

Nëna e tij ka përcjellë katër fëmijë të tjerë që janë larguar në emigracion. Edhe ajo ka ëndrra për të udhëtuar jashtë.

“U them fëmijëve se do të shkoj t’i shoh. Dua të shkoj në Izmir dhe në Francë. Të shohim”.

Ankaraja ka kërcënuar se do ta braktisë marrëveshjen për refugjatët, nëse Evropa nuk lejon lëvizjen pa viza për turqit brenda pak muajsh.

Në Goma Seydo, shpresat janë të mëdha për hapjen e mundësive për një jetë të re.

XS
SM
MD
LG