Lidhje

Zhytje në thellësitë nënujore me anë të internetit


Eksploruesit e internetit tani mund të zhyten në thellësi të reja, pasi ekspedita shkencore Catlin Seaview Survey shtoi mijëra fotografi të tabanit të detit në shërbimin Google Street View. Me anë të internetit, tani është e mundur edhe zhytja në mënyrë virtuale, sepse vizitorët mund të komunikojnë në mënyrë direkte me zhytësit, ndërsa ata eksplorojnë shkëmbinjtë nënujorë në mbarë botën.



Thellësitë e oqeaneve nuk janë më pengesë për njohjen e planetit tonë.
Tani, jeta nënujore e Bllokut të Madh Koralor, në brigjet e Australisë, mund të shihet nga të gjithë përdoruesit e internetit në të gjithë botën, në kohë reale.

Ekspedita Catlin Seaview Survey këtë vit po studion shkëmbinj nënujorë në mbarë globin, duke i sjellë ato virtualisht pranë publikut, nëpërmjet shërbimit Street View të Hartave Google.

Pjesëmarrësit në këtë konferencë, në Monterey të Kalifornisë, morën pjesë në një lidhje me Google+ me një zhytës që po notonte në Bllokun e Madh Koralor.
Pati një moment magjik kur një breshkë deti notoi para kamerës. Polumbarët e ekspeditës shkencore Catlin do të përdorin aparatë nënujorë për të fotografuar rreth 50 mijë pamje, ndërsa eksplorojnë bllokun më të madh të koraleve në botë.

Imazhet do të kombinohen, duke formuar skena panoramike me rezolucion të lartë, që vizitorët mund t’i shohin në internet. Shkencëtarët e projektit Catlin shpresojnë të rrisin ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e oqeanit për burimet ushqimore, oksigjenin, dhe rregullimin e klimës për planetin.

Edhe pse projekti parashikon paraqitjen e vetëm një pjese të vogël të shkëmbinjve nënujorë, për krye-shkencëtarin e ekspeditës Catlin, Ove Hoegh-Guldberg, është thelbësore që të eksplorohen shkëmbinj koralorë në të gjithë globin, për të parë se si janë duke u ndikuar nga problemet e mjedisit.

"Oqeanet po përballen me një krizë. Tani, ne e dimë se shumë nga ekosistemet mbi të cilat varen peshkimi dhe njerëzit janë duke u përkeqësuar. Pyetja është çfarë do të bëjmë për këtë. Ky projekt është i paprecedent pikërisht sepse e shqyrton këtë pyetje në shkallën e duhur. Bëhet fjalë për trajtimin e shkëmbinjve koralorë nën ujë si një fenomen global. Kjo do të pasurojë njohuritë tona rreth mënyrave me të cilat këto vende të bukura po ndryshojnë."

Eksplorimi prej ekspeditës Catlin i Bllokut të Madh Koralor, me gjatësi 2.300 km, filloi më 16 shtator dhe do të vazhdojë deri në fund të muajit dhjetor, duke përgatitur harta të 20 shkëmbinjve koralorë të veçantë. Në vitin 2013 studimi do të vazhdojë edhe me vende të tjera, duke përfshirë Havain, Filipinet dhe Bermudën.

Grupi Catlin do të dërgojë polumbarë për të fotografuar shkëmbinjtë nënujorë pranë sipërfaqes, deri në një thellësi prej rreth 12 metrash. Për shkëmbinjtë në thellësi nga rreth 30 deri në 100 metra, ekspedita do të dërgojë robotë të pajisur me kamera dhe ndjesorë për të mësuar më shumë për ato sisteme koralore, të cilat janë të vështira për t’u arritur dhe që shihen rrallë.

Ove Hoegh-Guldberg thotë se vetëm një pakicë e vogël njerëzish kanë mundësi të zhyten në thellësitë e detit, prandaj shumë prej tyre nuk e kuptojnë se sa shumë pasuri përmbajnë ato.

"Pra, elementi kryesor i këtij projekti është që t’u japim njerëzve qasje në thellësitë e oqeanit përmes zhytjeve virtuale. Ata do të jenë në gjendje të shohim se çfarë janë duke bërë shkencëtarët dhe të përjetojnë këto mjedise detare për herë të parë. Synojmë që të përfshijmë qindra miliona njerëz, sepse nëse njerëzit nuk i shohin me sytë e tyre problemet e oqeanit dhe se çfarë është në rrezik, ata nuk kanë arsye për të vepruar. Dhe kjo është me të vërtetë një dekadë kritike, në të cilën duhet të marrim vendime sa më shpejt."

Shërbimi Street View i kompanisë Google përmban pamje të mbi 8 milionë kilometrave në tokë, dhe tani po grumbullon imazhe të oqeaneve në mënyrë që njerëzit të mund të vizitojnë zona nënujore si Blloku i Madh Koralor.

Luc Vincent, Drejtor i Inxhinierisë i kompanisë Google, thotë se vënia në dispozicion të njerëzve e informacionit për botën nënujore është pjesë e misionit të gjigantit të teknologjisë.

"Misioni ynë në Google është që të jemi gjithëpërfshirëse, të sjellim të dhëna, të ofrojmë pamje ashtu siç janë. Deri tani, edhe pse kemi publikuar imazhe të rrugëve prej shtatë kontinenteve, duke përfshirë Antarktidën, nuk kishim qenë ende në gjendje të shkonim nën ujë, dhe sot kjo ka ndryshuar. Kemi filluar të publikojmë pamje nënujore në gjashtë vende. Jemi shumë të lumtur për këtë arritje."

Shumë njerëz mund të mos kenë mundësi të notojnë mes koraleve, por nëpërmjet bashkëpunimit të ekspeditës Catlin me Google Maps, miliona vetë do të jenë në gjendje të zhyten virtualisht për të shijuar misteret e thellësive nënujore.
XS
SM
MD
LG