Lidhje

Google Glass ngjall debate


Kompania Google ka filluar t’ia shesë paisjen e saj të fundit të teknologjisë së lartë, Google Glass një grupi të kufizuar në Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për ta përmirësuar për tregun e gjerë. Kritikat më të mëdha deri tani kanë qenë lidhur me ndërhyrjen në jetën private. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee njofton nga Los Angeles.

Kur profesorja Marcia Dawkins dëgjoi për herë të parë për syzet Google, ajo kishte vetëm një gjë në mendje.

“Mendova që kjo është diçka që më duhet patjetër për në klasë dhe ndoshta edhe në jetën time personale”.

Që prej një muaji që kur i bleu, Dawkins ka xhiruar video gjatë pushimeve dhe ka komunikuar me motrën e saj në Tajlandë. Ka gjithashtu edhe një program që u jep mundësi studentëve që të shohin se çfarë sheh Dawkins me këto syze.

“Shpesh u them në fillim se nëse ata më shohin mua, edhe unë i shoh ata por ata asnjëherë nuk më besojnë. Ata mendojnë se janë të padukshëm kur fshihen prapa kompjuterave”.

Profesoreshë Dawkins po studion sesi mund të shërbejë sa më mirë kjo paisje për të përmirësuar përvojën e të mësuarit. Por jo gjithkush e pëlqen këtë teknologji të re.

Nuk ka probleme, për shembull, kur Dawkins xhiron videon e dikujt që e di se ajo po e bën një gjë të tillë. Por ka shqetësime për privacinë kur një përdorues regjistron video pa dijeninë apo miratimin e tyre.

John Simpson është drejtor i projektit të privacisë me organizatën Consumer Watchdog.

“Në thelb u lejon njerëzve të të përgjojnë dhe të të regjistrojnë ndërkohë që ti nuk je në dijeni”.

Por Chris Dale nga Google thotë se Google Glass i jep përgjigje këtij shqetësimi.

“Për të aktivizuar kameran ose për të regjistruar video, duhet të bësh një gjest ose ta thuash me zë të lartë. Pra unë prek një buton për ta aktivizuar dhe them ‘ok, bëj një fotografi’. Po ashtu kam një buton të vogël që e shtyp dhe bëj një veprim të qartë që t’u tregoj të gjithëve se po bëhet një fotografi ose po xhirohet një video”.

Por siç shihet në këtë video në YouTube, postuar nga Chris Barrett, është e lehtë që të filmosh pa e kuptuar njeri. Syzet e tij filmuan këtë arrestim pas një shfaqjeje fishekzjarrësh.

Mike DiGiovanni zbuloi një mënyrë për të bërë fotografi me syzet thjesht me një shkelje të syrit, siç shihet në faqen tij të internetit Google Plus. Hakerat kanë mundur të sigurojnë teknologji të njohjes së fytyrës dhe ta përdorin për paisjen Google Glass. Kjo teknologji mund të skanojë një fytyrë, të identifikojë personin dhe të japë informacion për këtë person. Google thotë se nuk do t’i miratojë programet për njohjen e fytyrës. John Simpson i Consumer Watchdog thotë se mund t’i takojë Kongresit që ta mbrojë privacinë.

“Mendoj se do të jetë e nevojshme që të hartohet një ligj serioz. Duhet të miratojmë disa ligje”.

Marcia Dawkins thotë se shqetësimet e privacisë do të jenë pjesë e diskutimit në klasë, ndërsa ajo përdor Google Glass për të përmirësuar përvojën e të mësuarit mes studentëve.
XS
SM
MD
LG