Lidhje

Gordon: SHBA mbështet Ballkanin, por udhëheqësit duhet të zbatojnë reforma


Gordon: Ndarja e Kosovës do të kishte pasoja për tërë rajonin
Gordon: Ndarja e Kosovës do të kishte pasoja për tërë rajonin
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Gordon tha se megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë sfida globale në gjithë botën, ato nuk e kanë ndalur kurrë interesin për Ballkanin ku Shtetet e Bashkuara kanë investuar aq shumë. Siç njofton kolegia Keida Kostreci Zoti Gordon foli të martën në një diskutim në organizatën e Atlantikut të Veriut, ku i bëri një përmbledhje edhe vizitës së Sekretares së Shtetit Hillary Clinton në rajon.

Dilplomati i lartë amerikan rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e çështjeve të mbetura të Ballkanit dhe një Evropë të bashkuar, si edhe për përparimin e demokracisë. Zoti Gordon tha se Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian nuk kanë konkurrencë me njëri-tjetrin në rajon.

“Ne e dimë që Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë të suksesshme pa Evropën dhe Evropa nuk mund të jetë e sukseshme pa ne”, tha ai.

Zoti Gordon tha se perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i ka bërë vendet të forcojnë ekonominë, të çojnë demokracinë përpara dhe të vendosin paqe me fqinjët.
Ai e pranoi se reformat politike në rajon janë penguar nga kriza ekonomike në Evropë. Po ai shtoi se ngadalësimi ekonomik në Evropë mund të kishte qenë një shans për udhëheqësit e Ballkanit që të përqendroheshin tek sfidat e brendshme, por tha ai ka çuar në një intensifikim shqetësues të retorikës nacionaliste dhe rilindjen e shovinizmit si mënyrë për të tërhequr mbështetës.

“Investitorët e huaj, do të vazhdojnë t’i anashkalojnë vendet që janë të pllakosura nga korrupsioni, nepotizmi, struktura të dobëta shtetërore dhe paqëndrueshmëria politike”.

Ai tha Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për zgjidhjen e problemeve të mbetura në Ballkan, por:

“Udhëheqësve politikë të vendeve të rajonit duhet të lënë mënjanë përçarjet etnike dhe interesat personale dhe të përqendrohen tek zbatimi i reformave që kërkojnë qytetarët e tyre”.

Duke iu referuar vizitës së Sekretares Clinton në Shqipëri, zoti Gordon tha se ajo erdhi në një moment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, 100 vjetorit të pavarësisë.

“Për shumë vjet Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Evropës, nën një diktaturë shtypëse. Gjatë dy dekadave të fundit ka punuar për të forcuar demokracinë dhe reformojë ekonominë”.

Po diplomati amerikan i bëri jehonë këshillës së zonjës Clinton.

“Zonja Clinton e bëri të qartë se Shqipëria është në një udhëkryq kritik, ndërsa e vuri theksin tek nevoja për zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente në zgjedhjet e vitit 2013”.

Ai theksoi se ajo gjithashtu u bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të bashkëpunojnë pavarësisht nga përkatësia partiake dhe të marrin hapa të shpejtë për të miratuar reforma e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Veçanërisht, tha ai udhëheqësit e Shqipërisë duhet të zgjedhin rrugën e konsolidimit të arritjeve të deritanishme duke miratuar reforma në drejtësi dhe administratë dhe të rishikojnë rregullat procedurale të parlamentit. Qeveria tha ai duhet gjithashtu të shtojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Zoti Gordon vlerësoi faktin që Kosova dhe Serbia po mbajnë bisedime të nivelit të lartë. Por ai tha se për sa kohë Serbia dhe Kosova nuk i kanë zgjidhur çështjet e tyre, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të shqetësuara.

“Vizita e Sekretares Clinton dhe zonjës Ashton në Prishtinë vë në pah unitetin e qëndrimit mes Shteteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndërsa ato u bëjnë thirrje të dyja vendeve të zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe të marrin hapa konkrete për të tejkaluar bllokimin që ka të bëjë me Veriun e Kosovës”.

Zoti Gordon tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

“ As ne, as Bashkimi Evropian nuk presim që Serbia ta njohë Kosovën për momentin, por Serbisë do t’i duhet të normalizojë marrëdhëniet me një Kosovë demokratike, sovrane, të pavarur dhe shumëetnike brenda kufijve aktualë. Ndarja nuk është alternativë”.

Ai tha se Beogradi duhet të heqë strukturat paralele në veri, por se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në drejtim të përparimit dhe demokracisë dhe të ndërtojë shoqëri shumëetnike, me mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Zoti Gordon tha se Kosova duhet të vazhdojë reformat.

Zyrtari amerikan reagoi ndaj një pyetjeje që linte të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mund të mos kenë një qëndrim të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi ato favorizojnë Kosovën. Pyetja mori shkas nga qëndrimet e shprehura nga Sekretarja Clinton në Prishtinë. Zoti Gordon tha se nuk është për t’u habitur që zonja Clinton ka një lidhje të veçantë me Kosovën dhe se Shtetet e Bashkuara janë krenare për rolin e tyre në lindjen e shtetit të Kosovës. Por kjo tha ai nuk do të thotë se Uashingtoni nuk po mban qëndrim të balancuar.

XS
SM
MD
LG