Lidhje

Gordon: Ndarja e Kosovës do të kishte pasoja për tërë rajonin


Gordon: Ndarja e Kosovës do të kishte pasoja për tërë rajonin
Gordon: Ndarja e Kosovës do të kishte pasoja për tërë rajonin

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Gordon, i siguroi sot udhëheqësit e Kosovës për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit të Kosovës, duke hedhur poshtë çdo mundësi të ndarjes tokësore të saj. Zoti Gordon qëndroi sot në Kosovë në kuadër të vizitave në rajon. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe integritetit të Kosovës.

Ne në Shtetet e Bashkuara kemi qenë të qartë sa i përket ndarjes. Ne nuk e mbështesim, jemi kundër saj, nuk mendojmë se është praktike dhe në interesin e kujtdo qoftë. Ndarja do të kishte pasoja dhe do të ishte negative për tërë rajonin. Ne kemi qenë absolutisht të qartë në përkushtimin tonë për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës”, tha zoti Gordon duke nënvizuar se ka rrugë në botën demokratike për të siguruar se të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike të kenë zërin e tyre ne qeveri, të drejtat e tyre dhe të jenë të sigurt. Ai tha se të gjitha vendet kanë pakica etnike dhe në shumicën e demokracive janë gjetur rrugë për të zgjidhur interesat e tyre pa ndryshuar kufijtë.

Për të qenë absolutisht i qartë, rajoni i Ballkanit i bazuar në ri vizatimin e kufijve përreth çdo grupi etnik do të ishte recetë për katastrofë. Në nuk e mbështesim këtë dhe është më mirë që të sigurohemi se të gjitha qytetarët e Kosovës janë të akomoduar në demokracinë e Kosovës”, tha zoti Gordon, duke i shprehur mbështetjen procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të përbashkët. Zoti Gordon tha se në veriun e Kosovës mbretëron “status quo” që duhet të ndryshojë dhe pjesë e kësaj situate është edhe Beogradi, të cilit, siç tha ai, duhet t’i bëhet e qartë se synimi për integrimin evropian nuk mund të përmbushet pa zgjidhje e çështjeve të diskutueshme me fqinjët.

Ai tha se Kosova duhet të punojë për t’u dëshmuar si shoqëri e përkushtuar për të luftuar korrupsionin, për forcimin e demokracisë së saj dhe sundimin e ligjit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po diskutojnë më Bashkimin Evropian për përfshirjen e tyre në kuadër të grupit punues për hetimin e pretendimeve të ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty mbi përfshirjen e udhëheqësve të ish Ushtrisë Çlirimtare në trafikimin e organeve njerëzore. Ai tha se pretendimet e tilla duhet të hetohen dhe të sqarohen në tërësi.

Krimet e luftës, kudo qoftë, janë çështje serioze dhe pavarësisht se kush janë viktimat, drejtësia duhet të vihet në vend dhe faktet duhet të zbardhen. Prandaj u bëjmë thirrje të gjitha vendeve të rajonit që të bashkëpunojnë me hetimet”, tha zoti Gordon.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë dhe do të mbështesin angazhimet për përmbylljen e procesit të hetimeve.

Ne nuk kemi asgjë për të fshehur dhe është në interesin e Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundur. Pra, ne kemi besim të plotë në drejtësinë dhe do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me autoritetet ndërkombëtare të drejtësisë. Kosova ka qenë, është dhe mbetet shembull i bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës dhe autoritetet e drejtësisë ndërkombëtare dhe një gjë të tillë do ta vazhdojmë. Kjo është edhe standard yni, përkushtim yni dhe agjendë e jona”, tha kryeministri Thaçi.

Ndihmës sekretari amerikan Philip Gordon nënshkroi ndërkaq një marrëveshje bashkëpunimi me vlerë prej 9.7 milion dollarëve për të mbështetur reformën e sistemit arsimor në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një veprim që dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës. Ai tha se kjo mbështetje do të vazhdojë në të gjitha fushat, përfshirë edhe praninë ushtarake amerikane, duke hedhur poshtë pohimet se po shqyrtohet mundësia ë tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Ai tha se gjendja në Kosovë ende nuk është e tillë që do të mundësonte tërheqjen e trupave që do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, me gjithë shtimin e nevojave ushtarake amerikane nëpër botë.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG