Lidhje

Gordon: Opinioni i gjykatës nuk duhet parë si një fitore ose humbje për askënd

  • Ilir Ikonomi

Gordon: Opinioni i gjykatës nuk duhet parë si një fitore ose humbje për askënd

Gordon: Opinioni i gjykatës nuk duhet parë si një fitore ose humbje për askënd

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën që të njihet nga sa më shumë vende. Ndihmës Sekretari i Shtetit Philip Gordon tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bisedojnë me shtete mike të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe do ta ngrejnë këtë çështje. Zoti Gordon i bëri komentet dje në një konferencë me gazetarët.

Ndihmës sekretari i Shtetit Philip Gordon, shprehu besim se Kosovën do ta njohin më shumë vende dhe se opinioni i shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një bazë e mirë për këtë. Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në këtë aspekt.

"Që nga dita e shpalljes së pavarësisë, ne vetë e njohëm Kosovën dhe inkurajuam edhe të tjerët të vepronin kështu sepse ne gjithmonë kemi besuar se kjo ishte gjëja e drejtë që duhej bërë për paqen dhe qendrueshmërinë në rajon. Një numër vendesh kanë qenë në pritje të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sepse atyre iu kërkua nga Serbia që të prisnin. Ne mendojmë se ato vende të cilave iu kërkua të prisnin, tani do të jenë në gjendje ta njohin Kosovën duke patur parasysh se deklarata e pavarësisë është në përputhje me ligjin ndërkombëtar."

Zoti Gordon tha se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me ato vende të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por nëse ato do ta njohin ose jo Kosovën, kjo nuk varet nga Shtetet e Bashkuara, tha zoti Gordon.

"Njohja e një vendi është një akt sovran dhe varet prej tyre nëse do ta njohin Kosovën ose jo, nuk është vendimi ynë. Ajo që mund të bëjmë ne është të shpjegojmë se përse ne mendojmë se kjo është gjëja e drejtë që duhet bërë, përse ne mendojmë se është e ligjshme, përse mendojmë se kjo ndihmon për paqen dhe qendrueshmërinë dhe përse ne mendojmë se po të mos bëhet kjo atëhere kjo kthehet në pengesë për zgjidhjen e problemi një herë e përgjithmonë."

Zoti Gordon tha se të 5 vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën janë të gjitha mike të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Ne, tha ai, do të vazhdojmë t’u japim atyre argumentet tona dhe me siguri edhe ata do të paraqesin argumentet e tyre.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Phillip Gordon tha se çështja e opinionit që dha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë patjetër që do të shtrohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara sepse ishte ky forum i cili e paraqiti kërkesën në atë Gjykatë. Do të ishte diçka krejtësisht legjitime që Asambleja e Përgjithshme të reagojë tani pas opinionit të Gjykatës.

"Opinioni ishte shumë i qartë, nuk ishte diçka me mëdyshje por një përgjigje e prerë ndaj pyetjes së shtruar nga Asambleja e Përgjithshme. Prandaj mendoj se Asambleja e Përgjithshme do ta mbajë shënim këtë përgjigje dhe pikpamja e saj, ashtu siç është edhe pikpamja jonë dhe e shumicës, do të jetë se kjo e zgjidh çështjen e ligjshmërisë së deklaratës së pavarësisë. Prandaj ne do të ishim të kënaqur që një diskutim i tillë në Kombet e Bashkuara të bëhet. Shpresoj se vendet e anëtare do ta shfrytëzojnë këtë rast për të hapur një kapitull të ri në debatin rreth statusit të Kosovës."

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit tha gjithashtu se opinioni i gjykatës nuk duhet parë si një fitore ose humbje për askënd. Ai është një shans që të gjithë të dalin të fituar, si Kosova ashtu edhe Serbia.

XS
SM
MD
LG